13:08 / E Martë, 19 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

BE mbështet viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, rikonfirmoi mbështetjen e BE-së për përpjekjet e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës që të sjellin drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale si dhe për rritjen e efikasitetit të proceseve të drejtësisë tranzicionale.

Ajo këto komente i bëri sot gjatë një takimi me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë konfliktit dhe me përfaqësuese të organizatave të grave që punojnë  me viktimat.

“Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë konfliktit, qasja e tyre në kompensim dhe drejtësi ka qenë një çështje e lënë anash për një kohë të gjatë, por përkushtimi i institucioneve për zbutjen e pasojave të konfliktit të armatosur në Kosovë, edhe pse me vonesë, ka bërë tani së voni disa hapa të rëndësishëm përpara”, tha Apostolova.

Ajo shprehu bindjen se institucionet do të tregojnë një vëmendje të shtuar ndaj procesit pesë-vjeçar të aplikimit për status ligjor nga Komisioni i Qeverisë për Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës duke ndërmarrë të gjitha veprimet për adresimin e kësaj kategorie më konsideratat më të larta, pa vonuar procesin më tutje.

“Ky kompensim do të ndihmojë në adresimin e pasojave të dhunës seksuale që janë shkaktuar në jetën e të mbijetuarave, si dhe do t’i ndihmojë shoqërisë që të çrrënjosë modelet e diskriminimit gjinor”, tha Apostolova.

Aktualisht, BE është në partneritet me Gratë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë për të promovuar drejtësinë tranzicionale të ndjeshme ndaj aspektit gjinor në Kosovë.

Projekti është duke u zbatuar në partneritet me Agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara si dhe me OJQ që punojnë me viktimat e dhunës seksuale gjatë konfliktit.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit në proces është që të rris efikasitetin e proceseve të drejtësisë tranzicionale për t’i kontribuar një shoqërie më të drejtë dhe më të qëndrueshme, duke i bërë viktimat prioritet dhe duke marrë parasysh nevojat e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë konfliktit.