16:50 / E Martë, 08 Maj 2018 / indeksADMonline

“BE shpejtë konfirmon se përmbushëm obligimet për viza, por s’do thotë se ato i marrim menjëherë”

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është deklaruar pas përfundimit të mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës.

Haradinaj ndër të tjerash morie dhe një pyetje interesante. Ai është pyetur se a do të jetë ky 9 maji i fundit, si Dita e Evropës, që kosovarët po festojnë të paintegruar dhe pa liberalizim vizash.

Kryeministri Haradinaj është shprehur i bindur se ky 9 maj është i fundit që po gjen qytetarët e Kosovës pa liberalizim vizash për në zonën Shengen, raporton Indeksonline.

“Duhet të jem i sinqertë presim që institucionet e BE-së në periudhën katër javë eventualisht pesë të konfirmojnë që Kosova i ka kryer obligimet për liberalizim, pastaj me këtë nuk do thotë që i marrim menjëherë vizat. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi qeveritë veç e veç mund të kenë kërkesa të posaçme. Si ajo e Gjermanisë, e Fracnës, Holandës, Belgjikës, Austrisë”,ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është në gjendje gatishmëri t’u tregojë vendeve të huaja se po plotësojnë kushtet për liberalizim.

“Do të jemi gjithë kohën në gjendje gatishmërie, t’ua shpjegojmë qeverive, popujve, ministrave të brendshëm me i furnizu ata me çka u nevojitet që sa e pjekur dhe e gatshme është Kosova në rend dhe ligj. Se sa me përgjegjësi e merr këtë. Besoj diku ka vjeshta do të udhëtojmë lirshëm, nuk po e them me data. Por sigurisht ky do të jetë 9 maji i fundit që festojmë pa viza. E kam marrë personale këtë çështje, po punojmë intensivisht. Sado që mendoj se po punoj shumë, jam i mahnitur me punën e madhe që po bëjnë të gjithë”, ka përfunduar Haradinaj./Indeksonline/