18:10 / E Shtunë, 14 Korrik 2018 / indeksADMonline

Belgjika mposht Anglinë, e mbyll e treta e Botërorin

Belgjika e Eden Hazard, Kevin De Bruyne dhe Romelu Lukakut me shokë do mbahet mend gjatë. Belgët shkruan historinë duke mundur 2-0 Anglinë e Gareth Southgate në Shën Petersburg në finalen e vogël për vendin e tretë dhe duke fituar medaljen e bronztë.

Një arritje historike për skuadrën e Roberto Martinez që theu rekordin e Belgjikës së vitit 1986 që e mbylli Botërorin meksikan në vendin e 4-ët. Belgjika shfaqi shumë më tepër dëshirë se Anglia duke zhbllokuar shifrat që në rastin e parë që iu krijua pas një aksioni model të finalizuar nga Munier.

Në minutën e 82-të kapiteni Hazard dyfishoi shifrat, duke vulosur suksesin e Djajëve të Kuq, i dyti ndaj Anglisë në Botërorin rus, pas atij në fazën e grupeve me golin e Adnan Januzajt. Anglia dhe në veçanti, kapiteni Harry Kane bënë shumë pak në këtë sfidë për të mos thënë aspak, me Belgjikën që e dominoi takimin dhe e meritoi plotësisht vendin e 3-të në këtë Kupë Bote. /IndeksOnline/