22:23 / E Hënë, 11 Qershor 2018 / indeksADMonline

Belgjikë, sherr mes bandave shqiptare, vritet një grua, 4 persona të tjerë plagosen

Sërish shqiptarët në qendër të vemendjes në mediat e huaja. Një grua ka humbur jetën dhe 4 persona të tjerë janë plagosur si pasojë e përleshjes mes dy bandave shqiptare.

Siç raportojnë mediat vendase, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30 në komunën Ans të Belgjikës, ku dy banda rivale shqiptare u përfshinë në një sherr masiv mes tyre.

Në konflikt u përdorën thika, shkopinj bejsbolli, shufra hekuri dhe sende të tjera të forta, ndërsa dëshmitarët e përshkruan si një skenë lufte.

Viktima është një  43-vjeçare, e cila humbi jetën duke u përpjekur të ndihmonte mikun e saj që kishte pësuar lëndime nga goditjet. Ajo u përplas nga një automjet.

Identifikimi i viktimave nuk bëhet i ditur, ndërsa disa prej personave të përfshirë në konflikt janë identifikuar nga policia, por deri tani asnjë prej tyre nuk është arrestuar apo shoqëruar.