10:29 / E Enjte, 26 Prill 2018 / indeksADMonline

Berisha: Lista Serbe ta kuptojë realitetin e ri, të jetë pjesë e transformimit të FSK-së

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, në konferencën e organizuar nga kjo Ministri me temën “FSK dhe Partnerët’’, ka folur për arritjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke përfshirë këtu edhe integrimin e komuniteteve joshumicë, ndërsa ka kërkuar nga Lista serbe ta kuptojë realitetin e ri dhe të jetë pjesë e transformimit të FSK-së

Berisha në këtë konferencë tha se kanë arritur ta kalojnë dhjetë për qindëshin (10%) e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë, sidomos të komunitetit serb.

“Kemi rekrutuar 30 persona të komunitetit serb. E çmojmë lart vendosmërinë e këtyre rekruteve edhe përkundër kërcënime dhe presioneve, ata kanë vendos të jenë pjesë aktive e FSK-së”, ka thënë Berisha.

E sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri ai tha se po bëjnë përpjekje që pjesë e transformimit të jetë edhe komuniteti serb në Kosovë.

Ai, po ashtu, kërkoi që Lista Serbe ta kuptojë realitetin e ri, dukë kërkuar nga ata që të jenë pjesë e transformimit të FSK-së.

“Kërkojmë që të na mbështesni që edhe Lista Serbe ta kuptojë realitetin e ri dhe të jetë pjesë e transformimit”, u shpreh ministri Berisha.

Në këtë konferencë po marrin pjesë kryeministri Ramush Haradinaj, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, komandanti i KFOR-it, Salvatori Cuoci.