21:55 / E Martë, 07 Gusht 2018 / indeksADMonline

Berisha tregon si kishte kërkuar qeveria e Rugovës lirimin e Zahir Pajazitit

Ish kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha i është kundërpërgjigjur Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i cili në mënyrë indirekte e kishte fajësuar atë për arrestimin e Adem Jasharit e Zahir Pajazitit.

Berisha ka deklaruar se këto janë të pavërteta dhe se në vitin 1992 kur ai ishte bërë president i këtij vendi, në Shqipëri janë stërvitur me dhjetëra dhe qindra ushtarë të UÇK-së.

“Midis të tjerëve nga ata që kam takuar është i dokumentuar edhe komandanti legjendë Adem Jashari. Së dyti, gjatë gjithë atyre viteve, të gjithë ata që kanë dashur të kryejnë veprimeve kundër serbëve në Kosovë, janë përcjellë deri në kufi”, ka thënë Berisha duke shtuar se një rast ka qenë Zahir Pajaziti, i cili kishte marrë një thes me armë dhe e kapin rojet e kufirit.

“Mund ta kapnin, mund edhe të mos e kishin kapur. Njoftuam në Kosovë dhe i thanë që ta lënë të lirë. Adem Jashari nuk është arrestuar kurrë. Është e tëra trillim i atyre që janë arrestuar, për motive krejt të tjera. Nëse Hashim Thaçi është ankuar për mua në 2009, është ankuar për të mbuluar problemet e tij. Unë kurrë nuk bëj mbledhje dhe tratativa të fshehta. Mund të jetë ankuar 100 herë, s’ka asnjë vlerë për mua”, ka deklaruar ndër të tjera Berisha në RTV Dukagjini./Indeksonline/