19:28 / E Martë, 20 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Berlusconi flet për Milanin dhe mundësinë për ta marrë riblerë klubin

Pas zërave të ditëve të fundit se pronarët e rinj të Milanit janë drejt falimentimit, ka folur sot për mediat italiane ish-presidenti i kuqezinjve Silvio Berlusconi, që ka konfirmuar se nuk ka asnjë krizë. Ai ka shtuar se veprimi financiar i kalimit të aksioneve nga ai te Yonghong Li ka qenë e kontrolluar e mbikqyrur prej kohësh.

“Kemi patur kontakte me banka ndërkombëtare, sponsor ndërkombëtarë, profesionistë ndërkombëtarë, që na kanë konfirmuar se ky operacion financiar ishte i sigurt. Kemi takuar e biseduar disa herë me pronarët e rinj, që na dhanë garancinë absolute që ky operacion do të sillte shumë shpejt frutet e tij dhe jemi të bindur se kemi bërë zgjedhjen e duhur”, tha Silvio Berlusconi.

Ish-presidenti i Milanit është i bindur se koha do t’i japë atij të drejtë, se kuqezinjtë janë në duart të sigurta. Por, nga ana tjetër, ai ka hedhur sërish poshtë zërat se do të rikthehet të marrë presidencën e skuadrës që ai e bëri të famshëm në gjithë botën.

“Unë jam gati t’i përdor paratë nga blerja e Milanit për këtë skuadër, por nuk do ta riblej kurrë Milanin. Pas blerjes, erdhën shumë parà nga nafta e duhen ende shumë të tjera për ta mbajtur këtë ekip në një nivel të lartë ndërkombëtar, parà që një familje e vetme nuk i ka dhe nuk mund ta realizojë”, u shpreh ish-presidenti i Milanit, duke hequr kështu përfundimisht dorë nga rikthimi në detyrën e “numrit 1” të kuqezinjve.