15:23 / E Premte, 06 Prill 2018 / indeksADMonline

BERZH do mbështes Kosovën në disa fusha

Banka Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), do të mbështes Kosovën në sektorin privat, ekonominë e gjelbër dhe infrastrukturë.

Kështu u tha në takimin trepalësh në mes Qeverisë së Kosovës, zyrtarëve të BERZH-it dhe kryetarëve të komunave të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha marrëdhënia me BERZH-in është garancë se projektet e komunave do e shohin dritën .

Haradinaj garantoi krerët e komunave se do të kenë përkrahjen e Qeverisë për realizimin e projekteve të tyre.

Gjatë këtij takimi trepalësh kreu i ekzekutivit tha se pas takimit të sotëm do filloj një etapë e obligimeve në mes institucioneve të vendit dhe BERZH-it.

 

“Së shpejti pas takimit të sotëm do kalojmë në një etapë tjetër ta quaj ashtu të obligimeve mund të jetë një memorandum në mes të institucioneve të vendit dhe BERZH-it prej këtu atëherë secili projekt veç e veç do ta gjen dritën e vetë…Edhe ne si qeveri do të jemi me ju, në shërbimin për ju , me projektet e juaja, po ashtu ia konfirmoj Neilit se Kosova e çmon këtë marrëdhënie edhe jemi serioz dhe kemi hy në afat të gjatë me këtë marrëdhënie dhe po ashtu e çmojmë seriozitetin e juaj, sepse më të vërtet e kemi vërtetu sa ishim në Londër dhe e shikojmë tani që po vazhdon”, tha ai.

Shefi i Zyrës së BERZH-it në Prishtinë,Neili Taylor tha se BERZh është i gatshëm të bashkëpunojë me Kosovën.

Sipas tij BERZH në Kosovë ka prioritet sektorin privat, ekonominë e gjelbër dhe infrastrukturën.

 

“Ne i kemi tri fusha me prioritet në strategji, sektori privat, ekonomia e gjelbër dhe infrastruktura. Deri më tani e di që kemi projektin komunal të transportit, autobusët e verdhë që unë i kam parë në rrugët e Prishtinës, mirëpo sigurisht ka ende shumë që në mund të bëjmë së bashku me të gjithë ju”, tha Taylor.

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në këtë takim i ka paraqitur dy projekte për BERZH-in, pasi që ato nuk mund të realizohen me buxhetin e komunës.

Projektet e paraqitura nga Laldrovci janë ai i trajtimit të ujërave të zeza, dhe grumbullimit për ujë të pijes për 40 mijë banorë që do vendoset në fshatin Vërbovc.

 

“Ne i kemi paraqitë dy projekte për BERZH-in, projekti që është më i rëndësishëm për ne është projekti i i trajtimit të ujërave të zeza që e kemi paraqitë edhe në samitin e Londrës, i cili do t’i kushtojë komunës së Drenasit rreth 22 milionë që do t’i trajtojë të gjithë lumenjtë dhe përroskat e komunës së Drenasit dhe do t’i shpien në drejtim 6 km larg komunës së Drenasit, ku do të ndërtohet edhe fabrika e përpunimit të ujërave të zeza. Ndërsa projekti i dytë është projekti i grumbullimit për ujë të pijes për 40 mijë banorë që do të vendoset në fshatin Vërbovc”, tha Lladrovci.

Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini kërkoi nga BERZH-i financimin e katër projekteve infrastrukturore që do lehtësonin qarkullimin e kësaj ane.

Sipas Gjinit disa nga këto projekte janë ajo e rrugës që lidh Gjakovën me Deçanin, pastaj rruga prej Lipovecit në Goden dhe rruga nga Meja në Cermjan.

 

“Kjo rrugë na nisur me u ndërtuar para më shumë se 40 viteve diku në vitin 1976 dhe ka mbetur ashtu deri sot zhvillohet trafik shumë i dendur kudo nëpër rrugë të ngushta nëpër qytet, rrugë tjetër të cilën ne e kemi paraqitur është transiti që ne e quajmë transitin nëpër Rrezina, e kemi një problem të madh në Gjakovë është në mes të rrafshit të Dukagjinit ku kalon edhe aksi prej Pejës nëpër Gjakovë dhe në Prizren dhe praktikisht i gjithë trafiku që kalon nëpër Dukagjin kalon faktikisht nëpër qendër të qytetit”, tha Gjini.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës Gazmend Abrashi, ka përmendur disa nga projektet që do të financohen nga BERZH, siç është unaza e rrethrrotullimit të Prishtinës, 9 projekte që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza në Prizren ,Skenderaj, Drenas, 2 projekte për ndërtimin e sistemit të ujitjes, tri projekte për rregullimin e shtretërve të lumenjve, studimi i fizibilitetit për aeroportin në Gjakovë, 3 projekte për energjinë prodhuese me erë,etj.