14:21 / E Hënë, 01 Janar 2018 / k.v

Besimi, maskarenjtë dhe Çmimi Nobel për mjekët tanë!

Prof. Amnon Carmi, udhëheqës i UNESCO (Haifa) Chair in Bioethics, në një ligjëratë të mbajtur në fakultetin e mjekësisë në Prishtinë deklaron: “ Ne në Izrael i marrim prokurorët, gjykatësit dhe gazetarët dhe i qojmë në spitale për të kujdestaruar me mjekët, në mënyrë që ata të njihen punën dhe sfidat e mjekëve – përndryshe nuk ka as edhe një mundësi të kuptohet drejtë natyra e punës së tyre”

 Shkruan: Dr. Besim Guda, Internist-Kardiolog

Gjatë punës sonë të përditshme janë me dhjetëra e qindra raste kur dikush ju falënderon për ndihmën që ju i keni dhënë në çastet më të vështira të jetës, në momentin kur familjari juaj prekë kufijtë e vdekjes. Dhe është shumë normale që një falënderim i tillë të gëzon, të bënë të ndjehesh mirë dhe krenar për punën që e bënë, i plotësuar në aspektin profesional dhe kjo të mban gjallë në rrugën e vështirë të qenurit pran dhembjeve të tjetrit. Askush kurrë nuk mund ta kuptoj si e sa duhet këtë detyrë të vështirë. Këtë e kupton vetëm ai i cili është futur brenda në këtë garë të pa fund me vdekjen.

Por gjithmonë nuk ndodhë kështu. Ndodhë shpesh që Ju jeni i pari ai që i jepni lajmin më të hidhur familjarit, lajmin për vdekjen e të afërmit të tij. Edhe përkundër masave të ndërmarr, të dijës që keni, përvojës, punës së palodhur që bëni, kur përfundimi është me vdekje, juve gjithmonë ju shkon mendja se mos edhe diçka tjetër është dashur të bëhet. Dhe për këta njerëz, për këtë familje, edhe përkundër të gjithave, Ju mbeteni një figurë e pa dëshiruar, Ju jeni ai i cili i keni dhënë lajmin më të hidhur, dhe, papritmas, pa fajin tuaj bëheni i urryer për të dhe për familjen e tij. Edhe pse të bindur se vdekja është e pandalshme, si besimtarë disa nga ne, se ajo është e paracaktuar, prapë se prapë secili prej nesh shpreh dyshimin se mos është dashur të bëhet edhe diçka më shumë.

Sot në Kosovë ka nevojë për bashkëbisedim më shumë se kurrë, jo bashkëbisedim politik, i cili nuk është subjekt i këtij shkrimi, por bashkëbisedim gjithë-qytetarë, bashkëbisedim me veten tonë. Në të gjitha shkrimet e mia jam munduar të mos mbajë anë, por kam pasur qëllim të ngriti debat, të ndërtojmë një konsensus të përgjithshëm, për probleme bazike, probleme që në botën e civilizuar kanë gjetur zgjidhje të drejtë, apo përafërsisht të drejtë, ngase gjithkund shëndetësia është problem i rëndë i shoqërisë. Të rikujtojmë këtu vetëm “Obama Care” dhe gati gjithçka kemi thënë. Gjithmonë e kam thënë dhe vazhdoj ta them se problemi ekziston, ne mund ta zbusim atë vetëm nëse e kuptojmë dhe e pranojmë se ai ekziston. Ne mund ta ndreqim se bashku ashtu siç po shprehet ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Parimi bazë i mjekimit në shëndetësi, universal e i pranueshëm është ky; “Shëron vetëm ai mjek tek i cili krijohet besimi”. Tek ne, kjo është pika më e vështirë dhe më e rëndë, kjo është Nyja Gordiane që nuk po tejkalohet dot. Meqë kosovari, thënë më drejtë shqiptari i Kosovës nuk beson mjaftueshëm në Zot, nuk e beson presidentin e vetë, nuk i beson kryeministrit, nuk i beson ministrit, nuk i beson gjykatësit e prokurorit, nuk i beson profesorit e mësuesit, të njëjtën gjë e bënë edhe me mjekun. Shkurt; ai nuk na beson, dhe, kur nuk na beson, edhe shërimi si rezultat e këtij mosbesimi me siguri do të mungojë. Kur humbet besimi, humbet shpirti, humbet mendja thotë populli. Në ketë situatë ndodhemi sot. Andaj nga kjo pozitë shumë e vështirë kërkohet rrugëdalje. Alternativë e vetme është bashkëbisedimi brenda nesh, është fillimi i ngritjes dhe ndërtimit të besimit. Cilat janë rrugët dhe mundësitë, duhet shikuar. Duhet konsensus i përgjithshëm popullor për të gjitha këto probleme kaq të mprehta. Bijtë e Eskulapit (mantelbardhët) janë të gatshëm për një dialog social me qytetarin. Të gjitha këto nuk do të ishin fare të nevojshme sikur rrugët institucionale të funksiononin si duhet.

Edhe pse qytetari padrejtësisht i hedh barrën kryesore të dështimit të sistemit mantelbardhëve, këta të fundit të vetëdijshëm për pozitën e tyre, për rolin që kanë në shoqëri, mundësitë e tyre, janë të gatshëm për një dialog të brendshëm. Ata nuk kërkojnë e as që guxojnë të kërkojnë as më pakë e as më shumë nga sa u takon në shoqëri. Por edhe shoqëria dhe shteti duhet t’i trajtojnë në mënyrën që ata e meritojnë. Po, është e vërtetë ka në mesin tonë edhe të atillë qe nuk meritojnë tretman, por fat i mirë është që ata janë pakicë e parëndësishme të këtij entiteti.

Qytetari duhet të niset nga premisa kryesore se tani jetojmë në një sistem tjetër politik, jetojmë në “demokraci”, në një sistem “kapitalist”, ku ekonomia e tregut rregullon jetën në mes njerëzve, e jo gjynahu, mëshira, dhembja për tjetrin apo solidariteti. Këto ishin parime që promovoheshin dikur, që edhe ai sistem u tregua jo suficient për të zgjidhur problemet bazike të shoqërisë.

Është e kuptueshme për ne se popullata për 40 vjet kontrollohej pa asnjë “dinar”, që frigoriferët tanë ishin të mbushur me barna të llojllojshme pa pagesë, që mund të kuroheshe në çdo cep të ish shtetit, deri në Slloveni, ku për rrugë të paguhej edhe mëditja dhe rruga e mëditja e përcjellësit që udhëtonte me ju. Dhe përnjëherë sikur në ëndërr e gjithë kjo  morri fund, dhe tani shëndeti i juaj trajtohet si mall (siç ndodhë në gjithë botën e civilizuar) dhe për ta ruajtur këtë mall, këtë shëndet ju detyroheni të jepni lekun nga vetja juaj, lekë ky që shume shpesh i mungon shumicës sonë. Të pambështetur, ose fare pakë të mbështetur nga shteti, qytetari gjendet në një situatë shumë të vështirë. E ka gjetur edhe ai mallkimi i njohur i jehudëve: “Dhëntë Zoti të kesh e pastaj të mos kesh”, pikërisht në lidhje me sistemin shëndetësorë e kam fjalën.

Në këtë situatë të re, edhe mantelbardhët mundohen ta gjejnë vendin e vetë në shoqëri , të adaptohen me sistemin e ri, ngase në të kaluarin gëzonin beneficione të shumta që u ofronte shteti. Në adaptim e sipër, disa mund të ketë abuzuar me parimet universale të shëndetësisë, nuk përmend më betimin e Hypokratit ngase ai më 1946 është reviduar dhe ka humbur aktualitetin social. Mjekët, kjo pjesa avangarde e shoqërisë, këta njerëz punëtorë e ambicioz që i ka shoqëria kosovare që prej kohësh, janë anatemuar skajshmërisht, me ose pa vetëdije, me ose pa qëllim, për interesa të tjetërkujt ose si pasojë e injorancës së përgjithshme.

Në mendjet tona qarkullojnë ide nga më të ndryshmet, ide se si duhet që së paku të krijojmë kushte mesatare për trajtim të popullatës sonë. Duhet të pajtohemi që në këtë proces, me qytetarin jemi “palë” dhe se nuk jemi kundërshtarë apo, në mos dhashë Zoti të jemi armiq. Ofrimi i shërbimeve cilësore shëndetësore është imperativ i kohës. Gjërat duhet ndryshuar. Nevojitet vullnet politik dhe gjërat mund të përafrohen.

Dy gjera duhet të qartësohen, që janë notore, plotësisht fiziologjike dhe si të tilla janë në themel të zhvillimeve të mëtejme në këtë sferë.

E para – me kaq mjete sa jep qeveria e Kosovës për shëndetësi është e pa mundur të kemi përmirësim në sektorin e shëndetësisë, dhe

E dyta – pa reformë të thellë në sistemin shëndetësor ne vetëm do të vendnumërojmë, kriza do të thellohet dhe do të mbesim shumë mbrapa vendeve të rajonit e mos e flasim për vendet e zhvilluara.

Në fund te këtij shkrimi, që të mund të përmbledhim fjalën hyrëse të prof. Carmit, dhe të shpërfaq idenë themeltare të titullit, kam një tregim nga përvoja ime personale, shume domethënëse.

Një vëlla i imi, rebel për kah natyra, i pakënaqur me sistemin shëndetësor, i nxitur ndoshta edhe nga shkrimet nëpër gazeta, portale e mjete tjera të informimit mbi sistemin shëndetësor, thoshte: “Ju mjekët jeni maskarenj, sepse ju mjekët nuk keni konsideratë të mjaftueshme për shëndetin e njeriut”. Njëjtë sot mendon edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të këtij vendi. Këto fjalë, vëllai im i përsëriste shpesh. I ndodhi pastaj që të vinte dhe të merrte ca shërbime shëndetësore katër ditë rresht në Emergjencën e SP të Gjilanit, dhe që ditën e tretë, tha: “Nga ajo që pash përgjatë këtyre tri ditëve, ju mjekët e meritoni Çmimin Nobel, sepse ju kishit aq shumë probleme, aq shumë sfida, pengesa, e kaq shumë mosmarrëveshje me qytetarët sa kurrë nuk kam mund t’i imagjinoja“.

Duke i ditur të gjitha këto, i them vëllait tim dhe të tjerëve: ”Të dashur, ne, nëse nuk jemi për Çmimin Nobel, nuk jemi as maskarenj” Ne jemi ju, por vetëm në versionin e mantelbardhëve.

I dashuri qytetar, mjeku në Kosovë është qytetari i Kosovës i veshur me mantel të bardhë, ajo është uniforma e punës sonë. Sikur qytetaret e Kosovës të ishin më të mirë dhe të meritonin më shumë, me siguri do të kishin qeveri më të mirë, shkencë e universitete më të mira, sport më të mirë, xhamia e kisha me të mira, gjithsesi, edhe shëndetësi më cilësore e më të mirë.

P.S:
Në shkrimin e radhës do të shkruajmë rreth paragjykimeve dhe korrupsionit në shëndetësi.