19:21 / E Premte, 17 Gusht 2018 / indeksADMonline

Bie ndjeshëm numri i aksidenteve në trafik (Dokument)

Duke parë numrin e madh të aksidenteve të komunikacionit, shpesh herë me fatalitet, në fund të muajit korrik, Policia e Kosovës ka themeluar “Task Forcën”, me të cilën synohet që ky numër të bie.

Policia e Kosovës ka theksuar se me qëllim të shtimit të masave të sigurisë në trafik, sidomos tani gjatë kohës së verës kur edhe rritet fluksi i veturave në rrugë, ka hartuar dhe po e zbaton një Plan Operativ me detyra konkrete shtesë.

Ende pa u bërë një muaj, ky vendim i Policisë ka dhënë rezultatet e para pozitive, shkruan Indeksonline.

Policia e Kosovës në një përgjigje për Indeksonline ka treguar statistika të aksidenteve janar-korrik të vitit 2017 dhe 2018, ku vërehet rënie e numrit të aksidenteve dhe viktimave.

Shembull, derisa për shtatë muajt e parë të 2017-tës kishin ndodhur 9981 aksidente komunikacioni, në periudhën e njëjtë të këtij viti numri i aksidenteve të shënuara arrin në 8630, apo 1 351 më pak.

Tutje, sipas policisë, nga janari deri në korrik, vitin e kaluar kanë humbur jetën në aksidente komunikacioni 71 persona, kurse këtë vit 67, apo 4 më pak.

Edhe numri i tiketave të shqiptuara ka ndikuar që pjesëmarrësit në komunikacion të jenë më të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat në trafik.

Kështu, vitin e kaluar policia rrugore shqiptoi 219 mijë e 480 tiketa, kurse në periudhën e njëjte të këtij viti shqiptoi 229 mijë e 433 tiketa.

Pra, këtë viti për shtatë muaj, Policia shqiptoi 9953 gjoba më shumë në trafik, duke treguar zero tolerancë ndaj shkelësve të rregullave në komunikacion.

Policia në përgjigjet elektronike ka njoftuar se planveprimi i kësaj “Task Force” po vazhdon akoma, ashtu sikurse po vazhdon edhe patrullimi i policisë me vetura civile.

“Në vazhdimësi kërkojmë që pjesëmarrësit në trafik të respektojnë rregullat e trafikut, posaçërisht shenjat për kufizimin e shpejtësisë. Policia, është duke e zbatuar me intensitet edhe njërën nga pikat e planit të veprimit për ‘ZERO tolerancë’ ndaj kundërvajtësve dhe atyre që rrezikojnë trafikun publik. Policia pos masave ndëshkuese (gjobave të shumta për kundërvajtësit në trafik), ka përpiluar dhe ka shpërndarë edhe Fletë-Palosje (fletushka) vetëdijësuese për pjesëmarrësit në trafik dhe drejtuesit e automjeteve”, ka shtuar policia.

Tutje, policia ka njoftuar se në planifikimet vjetore te policisë, parashohin aktivitete për të ulë numrin e aksidenteve për çdo vit, shifrat e këtyre shtatë muajve japin këto statistika krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, megjithëse humbja e vetëm një jete nga pakujdesia është shqetësuese.

Veprimet policore siç shihet edhe në tabelën e poshtëshënuar kanë treguar rezultate pozitive./Indeksonline/