09:54 / E Martë, 30 Janar 2018 / indeksADMonline

Bie numri i ndërmarrjeve të regjistruara

Në tremujorin e katërt të vitit 2017 janë regjistruar gjithsej 1.921 ndërmarrje, ose 13.3 për qind në pak në krahasim me tremujorin paraprak, ka bërë të ditur sot Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në raportin më të ri mbi ndërmarrjet në Kosovë për tremujorin e katërt 2017, thuhet se po ashtu krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2016 ka një rënie të ndërmarrjeve të regjistruara për 14.7%.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin tregtia me 511 ndërmarrje të regjistruara (26.6%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 183 ndërmarrje të regjistruara (9.5%); ndërtimtaria me 180 ndërmarrje të regjistruara (9.4%) etj.

Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1 deri 4 përbën 1 846 ndërmarrje, ose 96.1% e ndërmarrjeve të regjistruara; kategoria me 5 deri 9 të punësuar me 47 ndërmarrje, ose 2.4% e ndërmarrjeve të regjistruara; kategoria me 10 deri 19 të punësuar me 18 ndërmarrje ose 0.9% e ndërmarrjeve të regjistruara; kategoria me 20 deri 249 të punësuar me 10 ndërmarrje ose 0.5% e ndërmarrjeve të regjistruara; ndërsa në kategorinë 250+ të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, mbizotëron Prishtina me 643 ndërmarrje të regjistruara (33.5%), Prizreni 147 (7.7%), Ferizaj 146 (7.6%), Gjilani 117 (6.1%), Peja 116 (6.0%), Mitrovica me 75 ndërmarrje të regjistruara (3.9%), ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.