15:31 / E Enjte, 24 Maj 2018 / indeksADMonline

BSPK pas vdekjes së një punëtori në Fushë-Kosovë, ka një kërkesë për Qeverinë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka reaguar ndaj Qeverisë së Kosovës për mos gatishmërinë për të reflektuar mbi mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë.

Reagimi i BSPK-së dërguar mediave vjen pasi një punëtor sot në Fushë-Kosovë ka humbur jetën, transmeton Indeksonline.

BSPK përmes një njoftimi bën të ditur se i është premtuar nga kryeministri Haradinaj që do të jetë në dialog të vazhdueshëm dhe se kërkesat e sindikalistëve do të trajtohen, por sipas tyre, aktualiteti po tregon se nuk po merren masa.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës përmes kësaj komunikate shprehë shqetësimin e thellë lidhur me ngjarjen e sotme, me ç’rast në Fushë Kosovë humbi jetën një punëtor në vendin e tij të punës. Derisa aksidentet në vendet e punës veç po rriten, BSPK-ja shpreh shqetësim të thellë për jo gatishmërinë e Qeverisë për të reflektuar sa i përket mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në punë.  Edhe përkundër faktit që BSPK-së nga takimet e fundit më Kryeministrin i është  premtuar se do të jetë në dialog të vazhdueshëm dhe se kërkesat e sindikalisteve do të trajtohen me kujdesin maksimal, aktualiteti po tregon se nuk po ndërmerren hapat konkret nga punëdhënësit për të krijuar ambient dhe kushte më të sigurta pune për punëtorët, por edhe nga organet kompetente të vendit që të bëjnë një mbikëqyrje me rigoroze lidhur me sigurinë e punëtorëve në punë”, thuhet në reagimin e tyre.

BSPK ka bërë thirrje tek organet kompetente që sa më shpejtë të marrin hapa konkret që punëtorët e sektorit privat të mbrohen dhe të kenë siguri në punë.

“BSPK shpreh keqardhje për ndodhinë e sotme ku në vendin e punës humbi jetën një punëtor dhe njëherit bënë thirrje të organet kompetente që të ndërmarrin hapa konkret që punëtorët sidomos të sektorit privat të kenë mbrojtje dhe siguri më të madhe në punë”, përfundon reagimi./Indeksonline/