18:27 / E Mërkurë, 16 Maj 2018

Bytyqi dhe Nikolla takohen në Tiranë, dakordime të mëdha mes dy ministrive

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka qëndruar sot për vizitë në Tiranë, ku është pritur nga homologia e tij, Lindita Nikolla.

Në një postim në Facebook, Bytyqi ka shkruar se më 10 qershor do të organizohet në Prizren një tryezë e përbashkët e rektorëve të Kosovës dhe Shqipërisë, transmeton Indeksonline.

Sipas tij, në takim u diskutua edhe për mundësinë e rritjes së kuotave për studentët kosovarë dhe anasjelltas për pranim në programet e avancuara në vendet përkatëse.

Ky është postimi i plotë i Bytyqit:

Sot, në Tiranë kam zhvilluar një takim me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla, ku paraqita disa pika të rëndësishme bashkëpunimi me interes për të dyja vendet për të cilat edhe u dakorduam gjatë këtij takimi.

Bashkë me ministren znj. Nikolla, u dakorduam për krijimin e një trupe të përbashkët për njohjen e profesioneve të rregulluara mes dy vendeve, gjithashtu jemi dakorduar edhe për një bashkëpunim më të ngushtë mes instituteve tona të historisë, dhe lidhur me këtë u planifikua që të organizohet një tryezë e përbashkët me 10 Qershor në Prizren, në mënyrë që ky bashkëpunim të fillojë sa më shpejtë dhe me qëllim të harmonizimit të funksionimit të të dy instituteve.

Poashtu, u dakorduan parimisht që me 10 Qershor, po në Prizren të organizohet një tryezë e përbashkët mes rektorëve të universiteteve publike, ku do të diskutohet për programe të rëndësishme universitare por që janë në rrezik mbylljeje në mungesë kuadrosh adekuate.

Gjatë këtij takimi, gjithashtu diskutuam edhe për mundësinë e rritjes së kuotave për studentët kosovarë dhe anasjelltas për pranim në programet e avancuara në vendet përkatëse.

Temë tjetër e rëndësishme dhe si risi mes dy ministrive u shtrua organizimi i një kampusi veror tradicional për të gjithë studentët shqiptarë për çka edhe u dakorduam. Gjithashtu, gjatë këtij takimi diskutuam edhe për shkëmbim të profesorëve në profile të rëndësishme që kanë mungesë të dyja vendet. /Indeksonline/