12:07 / E Premte, 04 Maj 2018 / indeksADMonline

Bytyqi: Projektet e BB-së synojnë përmirësimin e cilësisë në arsim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi bashkë me ministrat e arsimit të vendeve të rajonit ka marrë pjesë në Konferencën për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në takime të ndara që kam zhvilluar me ekspertë të Bankës Botërore, Amanda Devercelli- eksperte për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe Jaime Saavedra- drejtor i lartë i sektorit të arsimit në nivel global, kam thënë se MAShT është e gatshme që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, sa i përket realizimit të projekteve të BB-së për përmirësimin e cilësisë në arsim. Gjithashtu, shpreha përkushtimin tim dhe të ministrisë të cilën e drejtoj, në promovimin e politikave të kujdesit dhe zhvillimit të fëmijërisë së hershme për të gjithë fëmijët, si një faktor tepër i rëndësishëm i shoqërisë”, ka thënë ministri Bytyqi.

Ai ka përmendur edhe të arriturat kryesore në zhvillimin e dokumenteve strategjike dhe prioriteteve kombëtare, të cilat mbështesin realizimin e synimeve të Ministrisë së Arsimit për edukimin e hershëm, objektivat dhe sfidat të cilat ndërlidhen me cilësinë e ofrimit të shërbimeve të edukimit në fëmijërinë e hershme.

“Sa i përket mundësive për bashkëpunim me Bankën Botërore në fusha të reja në të ardhmen, kam diskutuar për organizimin e mësimit tërëditor, i cili kërkon infrastrukturë shtesë dhe fuqizimin e rolit të prindërve në procesin e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, duke qenë se menaxhimi i mirë i shkollave ndikon në përmirësimin e kualitetit në mësim”, ka thënë ai.

Kreu i arsimit ka falënderuar ekspertët e BB-së për mbështetjen që po i japin Kosovës në fushën e arsimit dhe ka kërkuar ndihmën e tyre në bartjen e praktikave të vendeve të zhvilluara, në çështjet për të cilat u diskutuan.

Konferenca për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme në Ballkanin Perëndimor është një mundësi për politikbërësit dhe palët e tjera të interesit që të informohen për rëndësinë e investimit në kujdesin dhe zhvillimin e fëmijërisë së hershme dhe për praktikat më të mira në ofrimin e shërbimeve të kujdesit dhe zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme./Indeksonline/

Temat: