09:55 / E Enjte, 15 Mars 2018 / indeksADMonline

Bytyqi: Sigurimi i cilësisë së arsimit mbetet sfidë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka organizuar punëtorinë për vlerësimin vjetor të punës të Planit Strategjik i Arsimit në Kosovë – PSAK 2017.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se nga raporti shihet se vërtet është bërë një punë e mirë, por ka pasur pengesa në zbatimin e planit strategjik.

“Një nga pengesat ka qenë buxheti. Plani strategjik përfshin 7 objektiva, shihet se ka pasur lëvizje, megjithatë mbetet një nga sfidat gjithëpërfshirja e fëmijëve në sistemin parashkollor”, tha Bytyqi.

Ministri Bytyqi tha se sistemi i menaxhimit ka nevojë për depolitizim.

“Synimi ynë është pika kyçe që ne e kemi identifikuar dhe që është zgjedhja e drejtorëve të shkollave. Synim kemi që roli i prindërve të jetë kyç në zgjedhjen e drejtorëve. Është një sfidë, por do të ia arrijmë. Sigurimi i cilësisë mbetet sfidë, ndonëse janë bërë disa hapa, por prapë na mbetet shumë për të bërë”, tha ai.