13:49 / E Premte, 18 Maj 2018 / indeksADMonline

Bytyqi: Testi i arritshmërisë, verifikim i gjendjes në arsim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka vizituar sot shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë, për të përcjell nga afër procesin e testit të arritshmërisë.

Në një postim në Facebook, Bytyqi ka shkruar se qëllimi i këtij testi nuk ka të bëjë vetëm me matjen e arritshmërisë, por edhe me verifikimin e gjendjes dhe marrjen e masave për të ngritur cilësinë, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i plotë i Bytyqit:

Sot, me rastin e mbajtjes së Testit të Arritshmërisë, vizitova Shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë. Testit të Arritshmërisë i janë nënshtruar rreth 27 mijë nxënës në të gjithë Kosovën, të cilët kanë filluar testimin në orën 10:00.

Përgëzova Divizionin për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit për përgatitjet e duhura që nxënësit t’i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë, i cili ndër të tjera ka për qëllim verifikimin e gjendjes në arsim.

Qëllimi i këtij testi nuk ka të bëjë vetëm me matjen e arritshmërisë, por edhe me verifikimin e gjendjes dhe marrjen e masave për të ngritur cilësinë. Përgatitjet kanë shkuar mirë. Jemi të interesuar që rezultatet të jenë reale. Të gjithë jemi të interesuar që në klasat tona mësimdhënësi të shtojë përgjegjësinë sepse mësimdhënësi nuk është vetëm një i punësuar, por përtej kësaj.

Testi i Arritshmërisë është organizuar në 108 qendra testimi dhe ka për qëllim orientimin e nxënësve për shkollimin e mëtejmë. Testi përmban 100 pyetje nga lëndët gjuhë shqipe, matematikë, gjuhë angleze, kimi, fizikë, gjeografi, histori dhe informatikë. /Indeksonline/