10:02 / E Diele, 16 Shtator 2018 / indeksADMonline

Canelo Alvarez kampioni i ri i botës, mposht Golovkin me vendim jo-unanim të gjyqtarëve

Boksieri meksikan Saul “Canelo” Alvarez është kampioni i ri i botës në peshën e mesme, pas fitores me vendim jo-unanim të gjyqtarëve ndaj ish-kampionit kazak Gennady Golovkin, duel i zhvilluar në “T-Mobile Arena” të Las Vegasit. Një përballje mjaft e bukur dhe me shumë emocione, ku të dy boksierët e kërkuan fitoren, por në fund triumfoi boksieri meksikan.

Dy nga gjyqtarët dhanë rezultatin 115-113 në favor të Canelo Alvarez dhe njëri në barazim (114-114), duke mërzitur pa masë Golovkin, që pësoi kështu humbjen e parë në karrierë (ka edhe 38 fitore e një barazim). Ndërsa për Alvarez ky është triumfi i 50-të në karrierë, ku numëron edhe 1 humbje e 2 barazime. Një përballje spektakolare me 12 raunde, mes dy prej boksierëve më të mirë të peshës së mesme, e cilësuar si sfida më e bukur e këtij viti.

Një duel që nisi miri për Canelo Alvarez, por edhe Golovkin nuk heq dorë dhe thuajse të gjithë raundet janë të ngjashëm mes tyre, ndaj dhe ishte e vështirë për të përcaktuar fituesin. Në raundin e 4-t, Golovkin i shkaktoi edhe një të çarë në vetullën e majtë rivalit meksikan, por ai që nuk heq dorë, ndërkohë që të dy boksierët e mbyllin duelin të gjakosur dhe festojnë.

Pas disa minutash pritje vjen vendimi i gjyqtarëve në favor të meksikanit, që feston me fansat e shumtë që kishin pushtuar Las Vegasin, ndërsa kazaku “Triple G” largohet nga ringu i zhgënjyer nga vendimi i gjyqtarëve dhe nga humbja e parë në karrierën e tij, një rezultat që nuk e priste. Ndaj dhe refuzoi të jepte një intervistë pas duelit.