13:09 / E Enjte, 19 Tetor 2017 / indeksADMonline

Çështja “Habilaj”, Saimir Tahirit i bllokohet pasaporta

Ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri i është bllokuar nga dje pasaporta për shkak të hetimeve mbi bandën e Habilajve, ku dyshohet se ai është i implikuar.

Burime për “Shekullin” bëjnë me dije se Tahiri po mbahet nën vëzhgim nga agjentë të Shërbimit Informativ Shtetëror për të parandaluar ndonjë tentativë arratisjeje.

Mbajtja e tij nën vëzhgim është kërkuar edhe nga agjencitë e huaja partnere, që dyshojnë se ai mund të jetë i përfshirë në trafikun e drogës.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit të Partisë Socialiste Saimir Tahiri.

Organi i akuzës po zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, në lidhje me bandën e Habilajve të cilët dyshohet se kanë trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sattiva nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon gjithashtu nga Komisioni i Mandateve në Kuvend, dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për Tahirin.

Ish-ministri i Brendshëm dyshohet i implikuar në trafikun e drogës me Habilajt dhe hetimi ka nisur ka nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.