21:44 / E Hënë, 11 Qershor 2018

Çfarë pritet nga takimi Trump-Kim?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen të kënaqura me ecurinë e bisedimeve dypalëshe me Korenë e Veriut.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi për mediat se në disa çështje përparimi është i dukshëm dhe më i shpejtë nga sa e priste administrata e Donald Trump, e për më tepër atmosfera pozitive do të vuloset me një takim të kokë më kokë mes Presidentit amerikan dhe Kim Jong-un.

Koreja e Veriut ka dhënë sinjale se kërkon të ndryshojë historikun e marrëdhënieve me Uashingtonin, duke kërkuar hapjen e një kapitulli të ri. Por, në SHBA dhe tek aleatët në Seul dhe Tokio ka dyshime.

Koreano-jugorët dhe japonezët mirëpresin afrimin, uljen e tensioneve dhe bisedimet në tryezë, por kërkojnë që të bëhet kujdes se mos bëhet fjalë për një lojë të Kim Jong-un. Historia u jep të drejtë pesimistëve, pasi në disa raste Peniani ka zbutur tensionet me SHBA dhe Seulin, por për vetëm për pak kohë dhe është rikthyer sërish në llogoret e propagandës dhe provokimeve.

Detaje nga atmosfera e takimit historik, që do të zhvillohet në Singapor dhe ministri i Jashtëm i vendit pritës, Vivian Balakrishnan. Ai takoi veç e veç Presidentin Trump dhe më pas edhe Kim Jong-un të dielën.

“Që të dy udhëheqësit duket plot vetëbesim dhe të gatshëm për të biseduar për gjithçka e pa komplekse me njëri-tjetrin”, deklaroi kryediplomati i Singaporit.

Balakrishnan zbuloi gjithashtu edhe se Singapori do të paguajë faturën e Kim Jong-un dhe delegacionit koreano-verior, që është strehuar në një hotel të vendosur në një zonë turistike, disa qindra metra larg delegacionit amerikan.

Por cilat janë pritshmëritë nga ky samit? Uashingtoni e ka bërë të qartë.

“Ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë për një Gadishull Korean krejtësisht të çarmatosur nga armët bërthamore. Kjo i shërben paqes dhe sigurisë në Gadishull dhe në gjithë rajonin”, deklaroi Mike Pompeo.

Sinjalin se dëshiron që të normalizojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara Kim Jong-un e dha pas takimit me homologun koreano-jugor, Moon Jae-in. Pak ditë pas këtij takimi, Pheniani shkatërroi galeritë nëntokësore ku besohet se ka kryer gjashtë teste bërthamore, përcjell Atsh.

Analistët ndërkombëtarë thonë se nga takimit mund të pritet një ndërprerje totale e programit bërthamor nga ana e Koresë së Veriut, por vështirë që regjimi komunist të pranojë që të shkatërrojë mbushjet e prodhuara deri më tani, të paktën jo të gjitha.