23:52 / E Enjte, 31 Maj 2018 / indeksADMonline

“Chicago Tribune”: Historia e rrallë e shqiptarit që iu konfiskuan 58 mijë $ në aeroport

Një 64-vjeçar shqiptar emigrant në Cleveland, Ohio të Shteteve të Bashkuara është vënë në fokus të një shkrimi të gjatë të së përditshmes “Chicago Tribune”. Aty rrëfehet me detaje historia e Rustem Kazazi të cilit autoritetet doganore i sekuestruan në aeroport përpara një udhëtimi në Shqipëri mbi 58 mijë dollarë pa i dhënë asnjë motiv.

Tashmë shqiptari i ka hedhur në gjyq doganat amerikane duke kërkuar paratë e tij. Doganat thonë se shqiptari mund të jetë i përfshirë në kontrabandë, trafik droge ose pastrim parash, por Kazazi i mohon akuzat duke pretenduar se paratë i janë sekuestruar pa u ngritur asnjë akuzë konkrete ndaj tij.

Por çfarë ka ndodhur? “Chicago Tribune” ka publikuar rrëfimin e 64-vjeçarit shqiptar që në të kaluarën ka punuar si oficer policie në Shqipëri. Ai ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2005 pasi fitoi në programin e Lotarisë Amerikane. Ai dhe familja e tij u bënë qytetarë amerikanë në vitin 2011. Gati një dekadë nga largimi nga Shqipëria, Kazazi planifikoi një udhëtim në vendlindje. Qëllimi ishte të takonte të afërmit, të riparonte shtëpinë e tij dhe me dëshirë për të blerë një shtëpi pushimi. Me vete mori edhe 58 mijë dollarë që Kazazi thotë se ishin kursimet e tij, gruas Lejla dhe djalit Erlad i cili është diplomuar në inxhinieri kimike në Cleveland State University.

Rustem Kazazi nuk flet mirë anglisht. Në intervistën e përkthyer nga i biri ai tregon se i mori paratë me vete pasi frikësohej të tërhiqte shuma të mëdha parash nga një bankë shqiptare. “Krimi në Shqipëri është shumë më i keq se këtu. Ka pasur raste që persona që tërheqin shuma të mëdha në bankë janë ndjekur dhe janë grabitur. Por edhe taksat e kalimit me bankë dhe përqindjet e kursit të këmbimit janë të larta” – tha ai duke shtuar se kontraktorët shqiptarë preferonin më mirë një monedhë të huaj se se leku. Për këtë arsye ai vendosi të marrë kursimet në të holla me vete.

Në 24 tetor 2017 ai u paraqit në aeroportin e Cleveland. Paratë i kishte futur në 3 çanta në prerje 100 dollarëshe. Me vete kishte edhe një dokument të tërheqjes së parave nga bankat amerikane. Paratë u zbuluan nga kontrolli në aeroport të cilët lajmëruan inspektorët e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit.

“Nisën të më pyesin, por unë nuk i kuptoja sepse ata flisnin shumë shpejt. U kërkova një përkthyes, por nuk pranuan. Më dërguan në një dhimb pa dritare ku nisën të kërkonin gjithandej. Më kërkuan të zhvishem lakuriq ndërsa më dhanë një batanije të mbulohesha nga mesi e poshtë. Më pas erdhi një person me doreza plastike dhe po kërkonte edhe në pjesët intime të trupit tim. Më ngjasoi me një kërkim striptize. U ndjeva i dhunuar”.

Nga kërkimi nuk doli asgjë tjetër. As drogë. As kontrabandë dhe asnjë provë tjetër e ndonjë aktiviteti të paligjshëm. Por agjentët ia mbajtën paratë Kazazit. Ajo që shqetësonte Kazazin ishte se ata nuk mbajtën asnjë procesverbal për paratë e marra.

“Nisa të frikësohesha sepse mendoja që ata i mbajtën paratë për vete” – tha ai në deklaratën e lëshuar. Pasi e liruan telefonoi gruan duke i shpjeguar çfarë i ndodhi. Ajo i tha se duhet të kishte ndodhur ndonjë keqkuptim, por edhe sot pas 7 muajsh, Doganat kanë ende paratë e tij.

Gjithçka ka nisur nga një urdhër i Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions sipas të cilit qeveria mund të sekuestrojë çdo pasuri të dyshimtë dhe i takon pronarit të justifikojë burimin e saj. Janë të shumta mediat dhe shoqatat që e kanë kundërshtuar atë, por qeveria amerikane thotë se ajo është një masë për të luftuar kriminalitetin.

Një muaj pas ngjarjes, në shtëpinë e Kazazëve shkoi një letër ku njoftoheshin se ishin prekur nga ky ligj dhe se do të konfiskoheshin 57330 dollarët e gjetur në aeroport. Kazazët fillimisht vunë re se mungonin 770 dollarë. Sipas tyre, kartëmonedhat ishin prerje 100-ëshe dhe është e pamundur që shuma të jetë 57330 dollarë. Avokati i tyre thotë se “gabime” të tilla ndodhin shpesh. Më e rëndë është akuza se “paratë mund të jenë të lidhura me kontrabandë, trafik droge ose pastrim parash”. Erald Kazazi thotë se për këtë nuk ka asnjë provë. “Ata kanë përmendur 3 akuza pa saktësuar për çfarë bëhet fjalë”.

Autoritetet amerikane kanë bërë të qartë për gazetën se çdo shumë më e madhe se 10 mijë dollarë do të konfiskohet gjatë udhëtimeve deri në vërtetimin që nuk vjen nga aktivitet kriminal.

Doganat i kanë ofruar një marrëveshje për të kthyer një përqindje të parave, por Kazazi është i vendosur ta çojë çështjen në gjykatë. I biri thekson se pavarësisht kësaj që i ndodhi, i ati nuk e ka ndryshuar mendimin për SHBA-të. “Pavarësisht gabimit të disa zyrtarëve që gabuan në punën e tyre, ai nuk ndryshim mendim për këtë vend” – thotë i biri. ©Përgatiti nga “Chicago Tribune”, LAPSI.al