15:58 / E Premte, 08 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Çmimet e prodhimit shënojnë rritje 0.4 për qind

Çmimet e prodhimit në Kosovë kanë shënuar rritje 0.4% në tremujorin e tretë, krahasuar me çerekun paraprak, ndërsa rritje më të mëdha ka pasur te prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe tapës, përveç mobiljeve, prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse me 5.6%.

Sipas Indeksit të Çmimeve të Prodhimit për tremujorin e tretë 2017, të publikuar nga ASK, rritje ka shënuar edhe prodhimi i metaleve me 5.1%, prodhimi produkteve kimike 3.2%, prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej saj 2.7% etj.

Ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te nxjerrja e xehes së metalit -2.8%, prodhimi i mjeteve motorike të transportit, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove -2.5%, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar -2.3% dhe prodhimi i mobilieve -0.1%.

Ndërkaq, krahasuar tremujorin e tretë 2016 çmimet e prodhimit u ngritën mesatarisht 5.6%, ku ngritje më të mëdha ka pasur te nxjerrja e xehes së metalit 48.7%, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar 21.6% etj.

Ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te prodhimi i mjeteve motorike të transportit, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove -2.5%, prodhimi i metaleve -2.4%, prodhimi i produkteve ushqimore -2.4%, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t -1.6%, prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve -1.3%, prodhimi i mobilieve -1.1%, prodhimi i pijeve -0.6% dhe prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj -0.2%.