10:21 / E Mërkurë, 08 Gusht 2018

Çrregullimet shëndetësore të ndërlidhura me stresin

Ndonëse identifikimi i shkaqeve të stresit në jetë e në vend të punës mund të jetë i lehtë, përcaktimi i efekteve të stresit në mirëqenien dhe shëndetin e njeriut nuk është aq i thjeshtë. Të kuptuarit e stresit na lejon të hedhim dritë mbi ndikimin negativ në shëndetin mendor dhe fizik të njerëzve në përgjithësi, e të të punësuarve në veçanti. Stresi “nis një alarm” në tru që përgatit trupin për t’u mbrojtur kundër faktorit stresues. Sistemi nervor vihet në gatishmëri, dhe hormonet që aktivizojnë shqisat, ngrisin pulsin, thellojnë frymëmarrjen dhe tensionojnë muskujt lëshohen. Kjo njihet si përgjigje e “luftimit ose ikjes”. Ky reagim është i programuar biologjikisht, që do të thotë që njerëzit kanë pak ose aspak kontroll mbi këtë reagim. Megjithatë, kur situata të vështira e stresuese janë të vazhdueshme ose mbesin të pazgjidhura, ky reagim aktivizohet vazhdimisht, duke shkaktuar rëndime të shumta në sisteme të ndryshme biologjike e nervore. Përfundimisht, vjen deri te lodhja dhe sistemi imunitar dobësohet, gjë e cila rrit rrezikun për sëmundje apo lëndime.

Puna konsiderohet si një aspekt i rëndësishëm i cilësisë së jetës. Në anën tjetër, të qenit i papunë çon në një rrezik më të lartë të çrregullimeve të mendore. Pavarësisht dobisë që sjellë puna, një mjedis pune i rëndë psiqikisht mund të përbëjë kërcënim për shëndetin mendor të punëtorëve. Rritja e ritmit të punës, vendet e punës me kërkesa më të mëdha për kualifikime të veçanta dhe përdorimi i shtuar i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit po vënë kërkesa gjithnjë e më të larta mbi funksionet mendore të punonjësve. Prandaj nuk është për t’u çuditur që është i përhapur kaq shumë fenomeni i shqetësimeve psikologjike te punëtorët në ditët e sotme.

Në ditët e sotme, pasi që shumë profesione janë të orientuara më shumë drejt shërbimit të konsumatorëve dhe trendet ekonomike globale kanë shkaktuar ndryshime tek organizatat, fenomeni i stresit ka marrë bujë dhe është bërë i pamohueshëm. Pa dyshim që ekzistojnë shumë faktorë që e shkaktojnë stresin, përfshirë ato socialë, politikë dhe ekonomikë. Kështu për shembull, përpjekjet për të ulur shpenzimet dhe për të rritur fitimet kanë sjellë reduktime të shumta nëpër kompani, ku një numër më i vogël i stafit është dashur të punojë më shumë për të kryer të njëjtin volum të punës. Për më tepër, në shumë profesione, pagat reale kanë rënë dhe përfitimet janë ndërprerë. Në njëfarë mënyre, edhe pse organizatat presin më shumë punë e kreativitet nga punonjësit të tyre, ata kanë ndërmarrë ndryshime që ndërhyjnë me kapacitetin e mundësitë fizike të punonjësve të tyre.

Shumë shkencëtarë kanë analizuar e studiuar elementët reaguese të sistemit të hormoneve për të gjetur lidhje në mes stresit dhe sëmundjeve adaptuese. Këto hulumtime kanë mundësuar të kuptuarit se si stresi mund të çojë deri te sëmundja, madje edhe deri te vdekja e parakohshme. Hulumtimi i gjerë shkencor, i cili ka zënë pjesën më të madhe të dekadave shekullit të njëzetë, ka treguar rolin e stresit në përkeqësimin e shëndetit dhe shkaktimit të sëmundjeve. Kështu, është vërtetuar se stresi lidhet direkt ose indirekt me shtatë nga dhjetë shkaqet kryesore të vdekjes nëpër vendet e zhvilluara, siç janë: sëmundjet e zemrës, kanceri, sulmi, lëndimet, vetëvrasja / vrasja dhe sëmundjet kronike të mëlçisë.

Për shkak se faktorët stresues në vendin e punës mund të jenë të ndryshëm, kuptohet se efektet e stresit te njeriu ndryshojnë gjithashtu. Përgjithësisht, këto reaksione stresi mund të kategorizohen si psikologjike, përfshirë ankthin, lodhjen e tepërt dhe depresionin, por edhe si reaksione të sjelljes apo fiziologjike. Gjatë momenteve të stresit të lartë në vend të punës, punonjësit përballen me sfida në kapacitetin e tyre mendor, duke shpërfaqë reaksione akute të sjelljes si tërheqja, agresiviteti, humbja e motivimit, apo dhe një hark të ngushtë kohor të vëmendjes, vështirësi përqendrimi e kapacitet të reduktuar të kujtesës. Reagimet emocionale si pasojë e stresit mund të përfshijnë luhatje të humorit, por edhe reagime më afatgjata të stresit si për shembull lodhja emocionale, cinizmi, kënaqësia e reduktuar, si dhe përfundimisht “burnout”, që mund të kuptohet si kolaps fizik ose mendor i shkaktuar nga mbingarkesa ose stresi.

Ndërsa reaksionet fiziologjike përfshijnë aktivizimin e shtuar të sistemit kardiak, pra presioni i lartë i gjakut, rritja e ritmit të zemrës, ngritja e kolesterolit apo aritmi të zemrës. Ndryshime në sistemin kardiak shkaktohen nga hormoni kortizol, i cili lirohet kur dikush stresohet. Hulumtime të shumta mjekësore kanë dëshmuar se nivelet e kortizolit janë më të larta kur ka nivel të lartë të stresit në një ambient të papërshtatshëm të punës dhe kur stresi zgjat për periudha të gjata kohore.

Përderisa, shenjat akute janë më të lehta për t’u identifikuar, efektet e stresit në sëmundjet kronike janë më pak të dukshme, sepse këto sëmundje zhvillohen me kalimin e kohës dhe mund të shkaktohen nga më shumë faktorë. Megjithatë, studimet po tregojnë se stresi luan një rol të rëndësishëm në shumë probleme serioze shëndetësore. Këto efekte, ndonëse shpesh të padukshme, në afat të gjatë mund të përfshijnë dobësimin e sistemit imunitar, sëmundjen kardiovaskulare, ulcerat, reduktimin e mirëqenies dhe shëndetit mendor.

Sejdë Tolaj/ PhD
Autoriështë kandidat n ëdoktoraturë nëFakultetinEkonomiktëUniversitetittëPrishtinës,
Drejtimi :Menaxhment dhe Informatikë
Tema e desertacionit: Metodologjia e matjes së stresit ,efektet në motivim dhe per formancë në organizatat publik edhe private në Kosovë.