21:31 / E Shtunë, 22 Shtator 2018 / indeksADMonline

Daci thotë se ideja për korrigjimin e kufijve doli nga villa e tij në Brezovicë

Kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci, ka thënë se ideja e korrigjimit të kufirit me Serbinë, e cila po proklamohet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka lindur në villën e tij në Brezovicë.

Daci ka folur kështu si i ftuar në mesin e shumë bashkëvendasve të tij që u mblodhën me ftesën e organizatës ‘Jehona’ me seli në Fushë Kosovë.

“Është origjinale vetëm ajo që presidenti Thaçi e promovon e që është krijuar në villën time në Brezovicë. Unë i kam thënë se krejt këto që i ke propozuar të fusin telasheve ty edhe të gjithë neve, por fjala korrigjim është e vetmja ajo e cila nuk mundet askush në asnjë element që ta demantojë”, ka thënë ai.

Daci e ka vlerësuar lart Thaçin.

“Pas vdekjes së presidentit Rugova unë e kam thënë gjithmonë: politikani numër një është Hashim Thaçi”, ka thënë Daci.

Ndërsa kryetari i PDSH-së, Ragmi Mustafa, e ka falenderuar Dacin për kontributin e tij.

“Faleminderit akademikut Daci për këmbëngulësinë e tij që t’i bashkëngjitet presidentit Thaçi dhe shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në përpjekjet për bashkëngjitjen e Luginës me Republikën e Kosovës. Lugina do t’i bashkëngjitet Kosovës!”, ka thënë ai.