09:22 / E Hënë, 14 Maj 2018 / indeksADMonline

Dedaj i ankohet kryeministrit: S’kam komunikim me Pacollin, nuk ia di as zyrën

Zëvendësministri i punëve të jashtme, Gjergj Dedaj, i është ankuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, se nuk komunikojnë fare me ministrin e tij, Behxhet Pacolli.

Dedaj tha se kjo po e vë atë në pozitë të vështirë, por ka heshtur deri tani, për hirë të zhvillimeve politike dhe respektit që ka për ministrin Pacolli.

“Z, kryeministër, unë jam zv ministër i jashtëm, tash e 6 muaj. Ka disa rezultate që kemi bërë falë iniciativës sonë, falë dhe përvojës sonë bukur të gjatë. Por unë personalisht kam vërejtje në komunikimin që kemi në relacionin me ministrin, sepse tash e gjashtë muaj unë dua me iu thanë z. kryeministër nuk kemi asnjë komunikim. Edhe pse kam kërkuar me shkrim, me sms me ato mjetet të cilat duhet t’i përdorë çdo zyrtar. Mund të jemi më efektiv duke pasur parasysh që ministria e jashtme është një dikaster tepër i rëndësishëm dhe unë ende nuk e di zyrën e ministrit tim. Kjo pak më ka vu në pozitë të vështirë çdo mëngjes dhe çdo pasdite kur është ardhur ora 16:00. Megjithatë për hirë të zhvillimeve politike, për hirë të respektit që kam për të gjithë dhe për ministrin në fjalë, kam hesht”, tha ai.