15:28 / E Shtunë, 05 Maj 2018 / indeksADMonline

Dedaj kundër Pacollit: Kosova s’duhet të anëtarësohet në organizatën e bashkëpunimit Islamik

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj e ka kundërshtuar hapur Behgjet Pacollin në përpjekjen e këtij të fundit që Kosovën ta anëtarësojë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI).

Krejt përplasja e tyre po bëhet me deklarata në rrjetet sociale, ku Dedaj ka shkruar se Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së, NATO-s, OKB-së, UNESCO-s por jo edhe OBI-së.

“Jo, Kosova në OBI”, ka shkruar Dedaj.

Ky reagim i Dedajt ka ardhur pak minuta pasi Pacolli njoftoi se ka shkuar në Bangladesh për të lobuar për anëtarësimin e Kosovës në OBI.

“Nga vizitat në shtete të veçanta të Azisë, mbërrita në Daka, Bangladesh ku si i ftuar i homologut tim të këtij vendi po marr pjesë në Ministerialin e 45 të vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit islamik”, ka shkruar Pacolli, nga Bangladeshi.

Pavarësisht se Pacolli dhe Dedaj punojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë dallime të mëdha sa i përket anëtarësimit të Shtetit në mekanizma ndërkombëtar.

Sipas Dedajt, anëtarësimi në OBI është i dëmshëm dhe nuk duhet të ndodhë.

“Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës, për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore Islamike (OBI), një hap i nxituar dhe i dëmshëm, i cili rrezikon, cenon dhe neglizhon perspketivën euroatlantike të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Dedaj.

OBI numron 57 shtet anëtare, shumica e të cilëve janë vende me sistem shtetror islame, dhe prej tyre disa shtrihen në Lindjen e Mesme, në Veri, në Azinë Juglindore, Azinë Jugore dhe në Amerikën Jugore. Gjuhët zyrtare e OKI-së janë gjuha arabe, gjuha angleze dhe gjuha frënge. Kjo organizatë paraqitet si përfaqësuese e përgjithshme e botëkuptimeve islame në botë.

Pavarësisht kësaj, Pacolli ka vazhduar vizitën në Bangladesh dhe pjesëmarrjen në konferencën e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe ka takuar Kryeministren e atij vendi.

“Kryeministrja e vendit Sheikh Hasina e çeli konferencën ku marrin pjesë dhjetra ministra të jashtëm të vendeve antare, vëzhguese,etj. U takova me shumë homologë, me synim njohjen e Kosovës, zgjerimin e miqve për antarsim në Interpol, etj. Mes tyre takova dhe ministren e jashtme të Kanadasë, ku jetojnë 1,5 milionë myslimanë. “kini besim në mbështetjen tonë se ne jemi miq të Kosovës”, më tha Kristia Freeland”, ka shkruar Pacolli.