13:39 / E Mërkurë, 10 Janar 2018 / indeksADMonline

Demarkacioni gati për Kuvend, deklarohet anëtarja e komisionit!

Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike të hënën pritet të ketë si pikë të rendit të ditës çështjen e demarkacionit.

Kështu tha në një prononcim për “Indeksonline”, zëvendëskryetarja e parë e këtij komisioni, Time Kadrijaj. Ajo tha se me 15 janar do të shqyrtohet në komision, e më pas do të mbahet seanca.

“Të hënë do të shqyrtohet në komisionin parlamentar demarkacioni, do të thotë është pikë e rendit të ditës e komisionit për punë të jashtme, diasporë dhe investime strategjike. Më pas, me apo pa pëlqimin e komisionit do të mbahet seanca plenare”, tha Kadrijaj.

Ajo tregoi se seanca se kur do të votohet nuk është vendosur ende dhe se kjo do të bëhet pas mbajtjes së mbledhjes së komisionit.
“Të hënë do të trajtohet në komisionin parlamentar, më pas do të caktohet seanca”, shtoi Kadrijaj.

Ndërkaq, dje në një intervistë televizive, kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, ka deklaruar se të hënën demarkacioni do të shkojë në Kuvend.

Muajin e kaluar Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin e komisionit të ti për shënimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe marrëveshjen e nënshkruar të vitit 2015, për shqyrtim të mëtutjeshëm në Kuvend./Indeksonline/