23:27 / E Martë, 20 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Deputetët insistojnë për ligjin e amnistisë

Ministria e Drejtësisë javën e kaluar ka dhënë opinionin e saj kundër iniciativës së disa deputetëve për mbledhjen e nënshkrimeve ku kërkohej amnistia për deputetët që hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës përgjatë viteve 2015-2016.

Në dokumentin në fjalë është bërë e qartë se lidhur me konceptin e amnistisë, Gjykata Kushtetuese në shqyrtimin e motiveve për nxjerrjen e një ligji për amnisti ka theksuar se ato “janë të ndryshme, por në përgjithësi ligjet për amnisti nxirren për shembull gjatë konfliktit për t’i dhënë fund dhunës, si pjesë e një marrëveshje paqësore, në mënyrë që të promovohet pajtimi mes palëve të përfshira, etj. Amnistia mbulon përveç individëve që janë dënuar dhe janë duke vuajtur dënimin e tyre, edhe individët që janë duke u hetuar apo që do të hetohen. Për të bërë dallimin duhet të shikohen motivet për nxjerrjen e një ligji për amnisti”.

Ministria e Drejtësisë pati konsideruar se në rastin e nismës ligjore, motivet e kësaj nisme, nuk janë në harmoni me motivet për të cilat zakonisht nxirret ligji për Amnisti e si të tilla i ka theksuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i cekur më lartë.

Kundër kësaj nisme të deputetëve ishte deklaruar edhe kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.

E pyetur për qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë, deputetja Kadrijaj ka theksuar se Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahri ka pasur një qëndrim të tij personal por se e gjithë kjo varet nga deputetët dhe gatishmëria e tyre për ta përkrahur apo jo këtë iniciativë.

“Ministri ka pasur të drejtë të japë një opinion privat, pra e ka thënë atë që ka menduar por kjo varet nga përkrahja e deputetëve në Parlamentin e Kosovës. Janë deputetët nënshkrues, është iniciativë dhe e gjitha varet prej deputetëve pra pas procedimit në Qeveri do të kalojë edhe në Komisionin Parlamentar dhe më pas procedohet për në Kuvendin e Kosovës dhe më pas votohet ose nuk votohet. Megjithatë vendimi është i lirë se a do të përkrahet apo jo nga deputetët”, ka thënë Kadrijaj.

Ndryshe ajo është shprehur e rezervuar në atë se a do ta përkrahin apo jo deputetët.

“Nuk e di se sa do të gjejë përkrahje pasi secili ka vendimin e vetë por e gjithë kjo do të ngelet në dëshirën e deputetëve”, ka shtuar deputetja e AAK-së.

Ndër të tjerash duke përkujtuar periudhën e hedhjes së gazit lotsjellës, Kadriaj ka thënë se ato veprime janë bërë për qëndrime politike.

“Të gjithë jemi kolegë dhe të gjithë e dimë se të gjitha veprimet janë veprime politike janë bërë për qëndrime politike dhe u ngelet deputetëve të vendosin”, ka përfunduar ajo.

Kohë më parë nga Gjykata Themelore në Prishtinë është bërë e ditur se për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës janë në procedure hetimore gjithsej 15 personalitete politike, disa prej tyre deputetë e disa ish-deputetë.

Ndryshe deputetët nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Donika Kadaj Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu janë duke vazhduar përballjen me procesin gjyqësor për gjuajtjen e gazit lotsjellës brenda objektit të Kuvendit të Kosovës si dhe pengimin e zyrtarëve në kryerjen e detyrës. Aktgjykimi i shkallës së parë është marrë ndërsa tani pritet vendimi i Apelit./Indeksonline/