15:36 / E Enjte, 28 Qershor 2018 / indeksADMonline

Deputetët nuk votojnë rezolutat, Zeka kërkon jastëk që të flenë në seancë

Megjithëse janë të pranishëm 63 deputetë në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila po vazhdon me pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 6, 8 dhe 14 qershor, në mungesë të votave, nuk janë miratuar disa projektrezoluta të mbetura nga seancat e kaluara.

Me gjithë thirrjet e kryesuesit të seancës Xhavit Haliti, që deputetët e pranishëm të votojnë, disa nga ta nuk morën pjesë fare në votim, duke bërë kështu që mos të miratohen rezolutat e mbetura. E vetmja që u miratua ishte propozim rezoluta e  Grupit të  LDK nga interpelanca me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) për kuartalin e katërt (K4) 2017 dhe kuartalin e parë (K1) 2018.

Ishte deputeti i VV-së, Adem Mikullovci, ai i cili reagoi për këtë situatë të krijuar. Mikullovci tha se kjo që po ndodh me mos votim, nuk ka kuptim.

“Dua tërheq vërejtjen me keqardhje. Dua t’ua përkujtoj që kur keni dhënë betimin për deputet, keni marrë obligimin të votoni për çdo gjë që vihet në votim. Jeni të obliguar të votoni. Mos e prishni mbledhjen. Për, kontra ose për. Por të votoni jeni të obliguar. Kush nuk voton fare ai faktikisht nuk është në seancë. S’ka kuptim me prish mbledhjen kaq”, tha Mikullovci.

Por deputeti i Nismës Milaim Zeka, kishte një kërkesë nga Kuvendi që t’ua sjell nga një jastëk dhe të flenë.

“Desha me mbështet fjalën e Bacit Adem. Nëse shkoni në arkivë e merrni çdo Rezolutë që e ka propozuar LDK dhe VV kam votuar për. Arsye pse kam votuar ‘për’. Sepse rezolutat janë vetëm këshillë për Qeverinë, nuk janë obligative. Në qoftë se  na tallemi në këtë formë në parlament me votuesit tanë, marre për neve. Bash marre e marre e marre. Le që s’po i votojmë ligjet , por ne s’po i votojmë as rezolutat që fare s’kanë të bëjnë me ligje. Prandaj e këna blloku parlamentin. Z.kryesues propozoj me na sjell nga një jastëk këtu e një sfungjer, bile me ia fut gjumë”, tha Zeka.

Ndryshe, Kuvendi nuk ka arritur ta miratojë Rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nga  interpelanca e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Kosovës. Nga 63 deputetë që morën pjesë në votim, pro votuan 23, 31 kundër dhe 9 abstenime.

Po ashtu në mungesë votash nuk u miratua as propozim-rezoluta nga interpelanca e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës.

E deputetët e pranishëm nuk votuan as propozim rezolutën e Grupit parlamentar të LDK-së, nga interpelanca e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me vendimet e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve për grante dhe subvencione.

Ndërsa nuk kaloi as projektligji për aktet juridike dhe as projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për  tatimin në të ardhurat personale.

Kuvendi nuk e miratoi as Projektligjin  për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave.

Po ashtu nuk u miratua as  Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-037 për Tatimin në Vlerën e Shtuar. Po ashtu nuk u votua as  raportit vjetor financiar për Buxhetin e Kosovës për vitin 2017.  Deputetët nuk votuan as Raportin vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017. Nuk u votua as Raporti vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin  2017.  Nuk u votua as Raporti vjetor i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2017.

 

Temat: