20:34 / E Hënë, 26 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Deputeti Pacolli takon minatorët e Kishnicës [Foto]

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga AKR, Islam Pacolli, ka takuar sot minatorët e Kishnicës në kuadër të javës së minatorëve.

Pacolli përmes profilit të tij në rrjete sociale ka njoftuar për këtë vizitë.

Ky është postimi i tij

Sot, pata nderin të vizitoj minatorët e minierës së Kishnicës për nder të javës së minatorëve. Vizitë e cila zgjon ndjenjë të veçantë, si fëmijë i një ish-minatori i cili i priu marshit të minatorëve në vitin 1988, e që shënon një nga aktet heroike të minatorëve dhe në përgjithësi të popullit të Kosovës në rrugën e drejtë për liri.

Në ditë si kjo e sotmja bëhemi më të ndërgjegjshëm së kurrë për domosdoshmërinë e investimeve në minierën e Trepçës, në veçanti në njësit e saja të krahinës së Gollakut në Hajvali, Kishnicë e Artanë. Investime të cilat do të reflektonin pashmangshëm në infrastrukturë e zhvillim, punësim e jetë dinjitoze për qytetarët e këtyre zonave.

Sektori minerar në Kosovë ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim ekonomik dhe punësim, andaj, është obligim i Qeverisë së Kosovës dhe të gjithë mekanizmave të tjerë që të punojnë pandalshëm në implementimin e Strategjisë Minerare në Kosovë, hapjen sa më të shpejt të ‘zonave të interesit të veçantë’ dhe promovimin e këtij sektori për investime të jashtme.