11:00 / E Martë, 20 Mars 2018 / indeksADMonline

Deputetja e AAK-së: Ja kur e dimë se a do votohet demarkacioni

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se krerët e shtetit kanë punuar intensivisht për t`i siguruar votat për kalimin e demarkacionit.

Ajo në një prononcim për “Indeksonline” është shprehur se në orën 15:00, Grupi Parlamentar i AAK-së do të mbajë mbledhje ku edhe do të kuptohet se çfarë do të ndodhë në seancën e sotme.

“Po mendoj që intensivisht është punuar që nga seanca e fundit, është punuar me Grupet Parlamentare por edhe me deputetë individualisht dhe po mendoj që veç seanca e konfirmon se janë siguruar votat, por nuk do të thotë se kjo është e domosodshme.E dimë që është punuar intensivisht nga krerët e shtetit në këtë drejtim që me u siguru votat, janë ata që e dinë saktësisht se a janë votat, a s`janë. Nuk mund të them asgjë sigurt, nga ora 3 kemi mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe aty do të kemi informata shtesë dhe aty do të kuptojmë se a janë votat për ta kaluar demarkacionin. Aty do e dimë më detajisht se çfarë do të ndodhë sot”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ka shtuar se nuk mund të deklarohet 100 për qind saktë, por ka thënë se pret që marrëveshja të ratifikohet meqë është punuar në këtë drejtim.

“Meqë është punuar intensivisht, mendoj që është arritur një konsensus për me kalu, por mbetet të shihet”, është shprehur ajo.

Ndryshe, seanca e sotme pritet të fillojë në orën 16:00. Deri më tani, kundër votës për demarkacionin janë Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa pa një qëndrim konkret ka mbetur deputeti i PDK-së, Nait Hasani. Së fundmi, kundër u deklarua edhe deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi./Indeksonline/