17:30 / E Enjte, 10 Maj 2018 / indeksADMonline

Deputetja e PSD-së: S’mund të rrëzohet Qeveria, kjo është arsyeja!

Qeveria e Ramush Haradinajt nuk mund të rrëzohet nga opozita, pasi nuk janë numrat e nevojshëm për ta bërë një gjë të tillë. Kështu ka thënë deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina.

Në një intervistë për “Indeksonline”, ajo thotë se nuk sheh ndonjë iniciativë serioze për mbajtjen e zgjedhjeve meqë kjo çështje është përmendur nga LDK-ja vetëm në media.

“Zgjedhjet janë përmend nëpër media kryesisht nga LDK-ja, por nuk ka ndonjë iniciativë serioze edhe për më tepër, as opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar këtë Qeveri, sepse nuk e dimë qëndrimin e Lista Srpska-s. Po ashtu e kemi thënë edhe më herët se ne nuk do të lejojmë që Lista Srpska t`i fitojë zgjedhjet në Kosovë. Nëse kjo varet prej neve, ne nuk do ta lejojmë atë. Por, kurdo që mbahen zgjedhjet natyrisht se ne do të përgatitemi, do të diskutojmë se cila do të jetë strategjia më e mirë, por tashmë së shpejti do t`i formojmë edhe grupet punuese për ridizajnimin e programit të Partisë Socialdemokrate dhe do të fillojmë menjëherë me hartimin e programit tonë qeverisës”, ka thënë Pantina.

Duke folur për synimin e PSD-së për të ardhmen, Pantina është shprehur se duan që t`i instalojnë praktikat socialdemokrate në qeverisjen qendrore, meqë në atë lokale tashmë janë duke qeverisur në dy komuna, atë të Prishtinës dhe të Kamenicës.

“Ideja e partisë Socialdemokrate është ide e kahershme, në Kosovë janë mundu me e përhapë socialdemokracinë në Kosovë, por për arsye të ndryshme nuk kanë arritur me qenë asnjëherë në pushtet. Natyrisht se qëllimi jonë fillimisht është rritja dhe zgjerimi i partisë, me synimin që një ditë të jemi në Qeveri edhe t`i instalojmë praktikat socialdemokrate në qeverisjen qendrore, përderisa në qeverisjen lokale ne tashmë jemi në dy komuna”, ka thënë ajo.

Pantina ka deklaruar se PSD do të funksionojë si një parti politike për një qeverisje më të mirë, me zhvillim ekonomik dhe me luftë kundër krimit e korrupsionit.

“Ne dje patëm Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor, ajo që mund të konfirmoj është se kam marrë shumë mesazhe urimi që nuk kanë qenë as anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, e as të Partisë Socialdemokrate, por janë ose njerëz që kanë garuar përmes nismave të ndryshme lokale, ose janë thjeshtë njerëz që nuk janë aktiv në politikë por që siç më kanë shkruar në mesazhe, tash po e shohin një shpresë se në skenën politike do të veprojë një parti politika që edhe është realiste, por mbi të gjitha e ka synim qeverisjen e mirë dhe luftimin e korrupsionit në rend të parë, krimit të organizuar dhe përqëndrimin në zhvillimin ekonomik të vendit”, është shprehur ajo.

Ndryshe, PSD dje ka zgjedhur personat kyç që do të udhëheqin me partinë; kryetar, Shpend Ahmetin, nënkryetar Visar Ymerin si dhe Aida Dërgutin sekretare. /Indeksonline/