22:43 / E Hënë, 23 Korrik 2018 / indeksADMonline

Dëshmitari shanë e ofendon gjyqtaren dhe prokurorin në Gjykatë (Dokument)

Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Blerim Igrishta sot është sulmuar nga një dëshmitar i një rasti.

Igrishta i cili po e zëvendësonte në këtë seancë një prokuror tjetër, është kërcënuar në korridorin e gjykatës nga dëshmitari i rastit.

E gjithë ngjarja ka ndodhur pas mungesës së të akuzuarit të rastit në seancë dhe kjo gjë duket se e ka nervozuar dëshmitarin. Në një deklarim për Indeksonline, prokurori Igrishta ka thënë se dëshmitari fillimisht e ka ofenduar rëndë gjykatësen. Kur prokurori ka ndërhyrë dhe i ka thënë dëshmitarit se në këtë gjykatë ka rregull, atëherë dëshmitari e ka ofenduar atë. Por, prokurori nuk ia ka vënë veshin dhe i ka injoruar fjalët e tij fyese.

Indeksonline posedon edhe deklaratën që Igrishta e ka dhënë në polici.

“…gjyqtarja e ka njoftuar se si dëshmitar është i obliguar që të lajmërohet çdo herë kur të ftohet nga gjykata, i njëjti me ton të lart e ka kundërshtuar dhe vazhdimisht ka bërtitur derisa gjyqtarja e ka futur në proces verbal që për datën e seancës së ardhshme të lëshojë udhëresë për sjellje me detyrim nga ana e policisë, pas kësaj unë kam reaguar duke iu drejtuar të njëjtit me fjalët se edhe këtu ka rregull dhe seanca nuk mund të mbahet, por nga i njëjti kam marrur përgjigje ofenduese për çka e kam injoruar…”, thuhet në deklaratën e prokurorit.

Por, me të dalë në korridor, dëshmitari e ka fyer prokurorin dhe e ka kapur për krahu. Ai nuk ia ka lëshuar krahun deri sa ka ndërhyrë sigurimi.

“… në korridor të Gjykatës derisa isha duke u futur në një seancë tjetër kam ndëgjuar se dikush më ka ftuar nga mbrapa duke më thënë O ti haber nalu qaty se kam punë me ty, unë jam ndalur dhe kam pyetur se a më drejtohet mua, i njëjti është përgjigjur Po me ty e kam se kem punë bashk…më ka kapur për krahu duke tentuar që të më shtyejë për në një hyrje të korridorit, unë kam reaguar duke thirrur sigurimin dhe të njëjtit i kam thënë që të më lëshon krahun, por i njëjti nuk e ka lëshuar deri sa ka ardhur sigurimi dhe me ndihmën e tij, ai është zmbrapsur… edhe pse është larguar nga unë i njëjti vazhdimisht më ka kanosur se unë dhe ti do të shihemi dhe më është drejtuar me fjalët ` Kush m*** je ti që më çon në burg mua`…”, thuhet tutje në deklaratën që prokurori Igrishta e ka dhënë në polici.

Rastin në fjalë e ka konfirmuar për Indeksonline edhe zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha.

“Po, mund të konfirmojë se sot është sulmuar prokurori, Blerim Igrishta. Ai është kapur për krahu nga një dëshmitar në sallën e Gjykatës, policia ka ndërhyrë menjëherë dhe është hapur rasti, tani janë duke zhvilluar hetimet e mëtutjeshme”, ka thënë Berisha.

Ai ka shtuar se dëshmitari me vendim të prokurorit kujdestar është dërguar në mbajtje për 48 orë. Në vazhdim, ai do ta shqyrtojë këtë çështje dhe do të vendos se a do të bëjë kërkesë për caktimin e masës me paraburgim prej 30 ditësh, apo do ta lirojë në procedurë të rregullt./Indeksonline/