19:02 / E Hënë, 21 Maj 2018 / indeksADMonline

Dështimi i ceremonisë për titull/ Deklarohen Drita dhe FFK-ja (Foto)

Kupa me vlerë të madhe qëndronte së bashku me medaljet në një tavolinë, dhe ngjasonte si të ishte një turnir i futbollit të vogël, e jo ndeshje serioze dhe e fundit për këtë sezon në Vala Superligë! 

Skuadra e Dritës u shpall kampion i Superligës së Kosovës për stinorin, 2017/2018. Klubi nga Anamorava me barazimin pa gola 0 me 0 ndaj Prishtinës, siguroi titullin e dytë në histori, shkruan IndeksOnline.

“Intelektualët” e kishin mendjen te titulli, kurse ceremonia për dhënien e kupës ngjasonte me një turnir të vogël futbolli nëpër fshatra.

Pse ishte një organizim i tillë, ne nuk e dimë! Por për këtë nuk e ka idenë as kryetari i klubit bardhekaltër, Fisnik Kërçeli.

“Me thënë të drejtën nuk më ka shkuar mendja te organizimi, me rëndësi ishte marrja e titullit”, ka thënë Kërçeli për IndeksOnline.

Në anën tjetër, Federata e Futbollit të Kosovës së bashku me klubin vendas, Prishtinën – e kishin një organizim dhe ide të ceremonisë, por këtë gjë nuk e lejoi hyrja e tifozëve.

“Kushtet nuk e lejuan, u futën shikuesit në fushë, ndoshta kjo është një arsye. Organizmin e ka pasur klubi, pra klubi vendas, kurse Federata e Futbollit të Kosovë e ka pasur sa me jep një ceremoni. Në momentin e titullit, tifozët u futën në fushë dhe nuk e lejuan që të jetë një ceremoni më e mirë. Prishtina është klub mjaftë me përvojë, dhe nuk besoj se do t’i ikte kjo gjë. Madje organizatoret në momentin e fundit të ndeshjes ia ofruan organizmin më të mirë, por hyrja e shikuesve ia pamundësuan këtë. Në përgjithësi ishte mjaftë mirë, një kampionat cilësor për të cilin janë ndarë të gjithë të kënaqur”, ka thënë Arianit Ahmeti, zëvendës sekretar dhe drejtor i Zyrës Ligjore në FFK.

Ahmeti po ashtu ka deklaruar se lista e futbollistëve për miqësoren e Kosovës ndaj Shqipërisë do të zbulohet shumë shpejtë nga trajneri Bernard Challandes./IndeksOnline/