19:21 / E Hënë, 20 Gusht 2018 / indeksADMonline

Detaje nga arrestimi i të miturit në Llabjan (Video)

Një person i mitur është arrestuar dje rreth orës 10:00 në Llabjan të Gjilanit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se arrestimi i të dyshuarit është kryer pasi që i njëjti derisa ishte duke drejtuar automjetin, duke mos respektuar urdhrin e policisë e ka fyer dhe sulmuar njërin nga zyrtarët policor. Sipas policisë, i mituri me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes.

Indeksonline dje ka siguruar një video nga ky arrestim ku shihen disa policë teksa e godasin të miturin. Një familjar i të arrestuarit ka thënë për Indeksonline se djali i tyre 15-vjeç derisa ishte duke shkuar për të blerë bukë me veturë, është ndaluar nga tre zyrtar policor të nacionalitetit serb, të cilët e kanë sulmuar me grushte e shqelma pa asnjë arsyeje.

“Pasi dëgjuam se çfarë ka ndodhur kemi shkuar në stacion të policisë ku për tri orë djali ynë ka qenë i mbuluar me gjak. Djali nuk mundet ti rrah pesë zyrtar policor, prandaj ajo se çfarë ka thënë policia është gënjeshtër”, ka thënë një familjar i të miturit.

Familjarët kanë thënë po ashtu se do të hapin rast ndaj policëve në Inspektoratin Policor për dhunë ndaj djalit të tyre.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani kishte thënë për Indeksonline se policia e ka arrestuar një person pasi që ai nuk kishte respektuar urdhrin e policisë për ndalim dhe më pas e kishte sulmuar një polic në detyrë si dhe e ka dëmtuar veturën zyrtare të policisë.

Polici i lënduar ka pranuar tretman mjekësor ndërsa personi i dyshuar është dërguar në qendrën e mbajtjes deri në një vendim tjetër të organeve të drejtësisë./Indeksonline/