15:03 / E Premte, 22 Qershor 2018

Dhomat e Specializuara publikojnë raportin e parë, detaje për provat, dëshmitarët, akuzat…

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (DHSK dhe ZPS) ka publikuar raportin e parë të punës. Në raport thuhet se gjatë vitit të kaluar ZPS-ja ka shqyrtuar me vëmendje provat e mbledhura që nga koha kur Task Forca Hetimore Speciale filloi punën në vitin 2011, ku përfshihen rreth 70.000 dokumente, që numërojnë thuajse 700.000 faqe material. Prokurori i Specializuar thuhet se ka punuar drejt një vendimi për ndjekje penale, por ai ngre aktakuzë vetëm nëse bindet se provat janë të pranueshme para Dhomave të Specializuara.

Përmes këtij raporti, DHSK dhe ZPS garantojnë paanësi dhe përgjegjësi në trajtimin e rasteve që kanë të bëjë me “krime kundër njerëzimit, krime të luftës dhe krime të tjera sipas të drejtës penale të zbatueshme në kohën kur janë kryer krimet; • që kanë ndodhur në mes 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000; që kanë filluar të kryhen ose janë kryer në Kosovë, ose që janë kryer nga persona me shtetësi kosovare/të RFJ-së, ose kundër tyre; – krime kundër administrimit të drejtësisë”, kur ato kanë lidhje me procedurat dhe ose zyrtarët e Dhomave të Specializuara, transmeton Indeksonline.

Në këtë raport, ritheksohet se askush nuk ka imunitet para kësaj gjykatë dhe se këto dhoma nuk kanë të bëjë me grupe apo organizata.

“Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar përqendrohet në vepra penale që kanë lidhje me pretendime për kryerjen e krimeve ndërkufitare dhe ndërkombëtare gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë për të cilat mbajnë përgjegjësi individë dhe jo grupe apo forca anëtarë apo përfaqësues të cilëve mund të kenë qenë individët në fjalë. Askush nuk ka imunitet pavarësisht nga pozita e tyre, as amnistia nuk është e mundshme”, theksohet në këtë shkrim.

Pavarësisht që në vitin 2015 me ligjin që u miratua në Kuvendin e Kosovës u krijuan dy institucione- Instrumenti ligjor themelues i Dhomave të Specializuara (DHSK) dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ende nuk janë ngritur aktakuzat.

Edhe në këtë raport nuk jepet ndonjë datë, mirëpo theksohet se janë duke shqyrtuar faktet e mbledhura dhe se viti i ardhshëm do të jetë i rëndësishëm për Zyrën e Prokurorit.

“Viti i ardhshëm do të jetë tejet i rëndësishëm për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ndërkohë që hetimet tona shkojnë më tej”, theksohet për këtë çështje.
Se kur do të merren vendimet për ngritjen e akuzave të para vendos Prokurori i Specializuar.

Mirëpo, në këtë raport thuhet se prokurori duhet të shqyrtoj hetimet brenda mandatit të vet.

“Prokurori i Specializuar do t’i shqyrtojë ngjarjet brenda mandatit të vet, pa vonesë, tërësisht dhe paanësisht dhe do të kryejë hetimin për zbardhjen e së vërtetës mbi këto ngjarje. Ne jemi të përkushtuar për arritjen e një rezultati legjitim që do të pranohet si legjitim prej bashkësisë ndërkombëtare dhe prej njerëzve që kanë vuajtur pasojat e konfliktit dhe për nxjerrjen para përgjegjësisë, të individëve fajtorë për kryerjen e veprave penale brenda mandatit për veprimet e tyre, pa frikë dhe anësi”, thuhet në këtë raport.

Mirëpo, Dhomat e Specializuara kanë ende shumë sfida përpara. Ndër sfidat e DHSK-së është përgjegjësia ndaj popullatës së Kosovës. Derisa theksojnë se kanë mbështetjen e institucioneve për të përmbushur mandatin.

“Përgjegjësinë tonë ndaj popullatës së Kosovës e kemi në qendër të vëmendjes dhe vlerësojmë interesimin e tyre të madh për punën tonë. Kemi besim se me mbështetjen e institucioneve përkatëse në Kosovë dhe të autoriteteve të cekura më lart, do t’i kryejmë detyrat dhe do ta përmbushim mandatin tonë me sukses”, thekson raportimi, transmeton Indeksonline.

Sa i përket mbrojtjes së të akuzuarve në mënyrë që të sigurohet gjykim i drejtë, Zyra e Mbrojtjes garanton të drejtat e të dyshuarve dhe të akuzuarve përmes hartimit dhe administrimit të një liste mbrojtësish që plotësojnë kriteret profesionale, të aftë dhe me përvojë, që përmbushin standardet e integritetit dhe ndershmërisë së nevojshme për procese gjyqësore të drejta.

Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve (ZMMD) do të ofrojë siguri dhe mirëqenie për dëshmitarët, viktimat dhe personave të tjerë që rrezikohen për shkak të dëshmive të dhëna.

Po ashtu, Specialja bënë të ditur se kjo zyrë do të jetë përgjegjëse edhe nëse kanë nevojë për ndihmë mjekësore e psikologjike dëshmitarët, qoftë gjatë ose pas procedurave gjyqësore.

“ZMMD-ja do t’u ofrojë mbështetje specifike, të përshtatur për nevojat e tyre, dëshmitarëve të traumatizuar, të cenueshëm, ose që mund të kenë nevoja të veçanta familjare, gjinore, kulturore ose mjekësore, përfshirë këtu edhe dëshmitarët që mund të kenë qenë viktima të dhunës seksuale dhe gjinore”, thuhet ndër të tjerash në raport.

Përveç kësaj bëhet e ditur se do të funksionalizohet Njësia e Paraburgimit, ku punonjës të burgjeve të Holandës do të ofrojnë shërbime për të dyshuarit, të akuzuarit dhe të paraburgosurit e tjerë nën autoritetin e Dhomave të Specializuara.

“Mbrojtësit e Viktimave duhet të provojnë se kanë pesë vjet përvojë përkatëse pune në çështje penale lidhur me viktima, brenda përvojës së punës 7 deri 10 vjet në procedura penale që është kriter për të gjithë avokatët. Kjo do të garantojë që viktimat të përfaqësohen nga mbrojtës të kualifikuar të cilët janë në gjendje të përballojnë vështirësitë që lidhen me përfaqësimin e grupeve të personave”, thuhet në raport./Indeksonline/