12:54 / E Hënë, 28 Maj 2018 / indeksADMonline

Dhurata Hoxha: Kemi progres në agjendën e reformave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka deklaruar se ka progres në Agjenden e Reformave, e cila parasheh zbatimin e 22 prioriteteve nga një varg institucionesh.

Këto komente ministrja Hoxha i bëri në tryezën e diskutimit me temë ”Agjenda për Reforma Evropiane (ERA), sfidat dhe pritshmëritë”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

Ministrja Hoxha ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë lansuar Agjendën e Reformave (ERA). ERA parasheh zbatimin e 22 prioriteteve nga një varg institucionesh.

“Deri më tani ka progres të konsiderueshëm, ky progres është avancuar sidomos pas miratimit të 11 ligjeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sa i përket sundimit të ligjit ndër të arriturat më të mëdha është miratimi i ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit dhe miratimi i ndryshimit te ligjit për prokurorinë e shtetit .Në këtë drejtim, ka pasur progres edhe në një numër prioriteteve”, theksoi ministrja Hoxha, duke cekur disa nga këto prioritete.

Ajo shtoi se duhet të tregohet përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e prioriteteve dhe MIE është duke ndihmuar në këtë drejtim dhe po punon ngushtë me të gjitha institucionet për të zbatuar këto prioritete.

“Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrueshmëria dhe përmirësimi i klimës për investime, si dhe politikat më të avancuara të punësimit dhe arsimit të lartë janë padyshim detyrë dhe obligim i yni karshi qytetarëve të vendit tone”, tha mnistrja Hoxha, duke theksuar angazhimin gjithëpërfshirës institucional por edhe inkorporimin edhe të shoqërisë civile.