20:03 / E Diele, 27 Maj 2018 / indeksADMonline

Dialogu pritet të rifillojë shpejtë, thuhet se s’ka alternativë tjetër

Dialogu Kosovë-Serbi pritet të fillojë shumë shpejtë pasi dialogu nuk ka alternativë tjetër.

Kështu të paktën ka deklaruar Shefi i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë në Bruksel, Avni Arifi. Sipas Arifti dialogu mund të fillojë shumë shpejtë.

“Mundet të fillojë shumë shpejtë. Nuk është esenca kur por për çka do të bisedohet”, ka thënë Arifi për Indeksonline.

Ndër të tjerash Arifi është pyetur lidhur me vonesat që po bëhen për rifillim të dialogut dhe se a ekziston mundësia që të mos ketë më rifillim e që sipas tij nuk mund të japë opinion në këtë qëndrim por që dialogu nuk ka alternativë.

Gjithashtu Arifi ka komentuar edhe mundësinë që dialogu të vazhdojë në nivel presidentësh.

“Jam për dialog sa më inkliziv. Ato mund të udhëhiqen nga presidentët por përfshirja duhet të jetë shumë e madhe”, ka shtuar Arifi.

Arifi ndër të tjerash ka bërë të ditur se janë në vazhdimësi në bisedime me përfaqësues të Bashkimit Evropian lidhur me vazhdimin dhe zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi në përgjithësi.

“Bisedojmë vazhdimisht”, ka thënë shkurt Arifi.

Ndryshe përfaqësues të shtetit serb vazhdojnë të deklarohen se vazhdimi i dialogut lidhet ngushtë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ndërkohë nga përfaqësues të Listës Serbe është thënë se Asociacioni mund të formohet vetëm me ndryshime kushtetuese, ndërkaq që Qeveria e Ksoovës këmbëngulë që Asociacioni mund të formohet vetëm sipas marrëveshjes së Brukselit, e cila parasheh edhe vlerësimin e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

E komisionari për negociata mbi zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn së fundi pati thënë se është optimist kur është fjala për arritjen e një zgjidhje për dialogun Kosovë-Serbi./Indeksonline/