12:44 / E Hënë, 25 Qershor 2018 / indeksADMonline

Diplomojnë kadetët e gjeneratës 2018

Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjeve në Ferizaj është mbajtur ceremonia e diplomimit të 11 kadetëve të gjeneratës 2018, të cilët nga sot kanë titullin oficer të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, duke iu drejtuar kadetëve u shpreh se gradimi i tyre po bëhet në fazën kur FSK po shkon drejt avancimit të misionit të saj.

Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës po i përmbush standardet më të larta të NATO-s.

Komandantja e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral-brigade, Irfete Spahiu me këtë rast u shpreh se gradimi i 11 kadetëve si oficerë të FSK-së do t’i ngarkojë ata me përgjegjësi, por do t’iu japë edhe forcë dhe vullnet për realizimin e ëndrrës së tyre.

Sipas saj, këta kadetë për katër vite u brumosën me virtytet për atdhe dashuri, integritet, humanizëm dhe vetëmohim.

Sipas saj Qendra për Studime Universitare të Kosovë do të vazhdojë me përkushtim të reformojë dhe avancojë programet me qëllim që të nxjerrë oficerë të përgatitur, të motivuar dhe profesionalë.

Gjatë kësaj ceremonie të diplomimit të 11 kadetëve të gjeneratës së vitit 2018-të, me medalje për rezultate të larta gjatë studimeve u nderua kadeti Premtim Shaqiri.

Ndryshe, Qendra për Studime Universitare pranë FSK-së është themeluar në vitin 2005.