10:43 / E Shtunë, 14 Tetorë 2017

Dita e Agollit mes poezive, aforizmave dhe tingujve!

“Pasdite me Dritëroin” mes poezive dhe tingujve! Për të bërë gëzuar në këtë 86-vjetor të datëlindjes së Dritëro Agollit ishin mbledhur dje në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar, të afërm, bashkëshortja dhe vajza, miq, por dhe njerëz, që patën mundësinë të njihnin vetëm nëpërmjet vargjeve, që shkroi për ta gjatë gjithë jetës së tij.

Mes promovimit të dy librave të rinj; “Nulla dies sine linea” dhe përmbledhjes me poezi “E bukura lozonjarja, tokësorja Grua” edhe dje Agolli “ja doli” që të ishte aty, jo vetëm nëpërmjet fotografive, në dy projektorë të mëdhenj, por edhe nëpërmjet vargjeve, që ka lënë për kombin e tij.

E bija, Elona, prof. Shaban Sinani, poeti Ilirian Zhupa, përkthyesi Shpëtim Çuçka ndanë me publikun ndjenja dhe vlerësime për Agollin, prind, njeri dhe shkrimtar; Justina Aliaj recitoi poezitë “Ju desha” dhe “pas ndarjes”, ndërsa Ardit Gjebrea, së bashku me vajzën e tij, Anën, këndoi për herë të parë live, këngën me vargjet e Agollit, “Kur të jesh mërzitur shumë”.

Elona Agolli

Elona, mes zërit që i dridhej tha se për të ishte hera e parë që të ndihej, si dje; e mallëngjyer, por edhe fortë e lumtur. “Me mall, sepse më mungon figura atërore, që për mua ishte më shumë sesa ati”. I mungon babai, që për të ishte mësonjësi i saj, që i dha shembullin dhe kontribuoi me çdo virtyt, si dashuria, përulësia dhe mirësia ndaj njeriut dhe kombit të saj. Ndihej e lumturuar pasi dje për babanë e saj ishin mbledhur shumë miq, për t’i dhënë dashuri.

Për herë të parë gjatë mbrëmjes Elona rrëfeu një ndodhi, që e kishte përjetuar me babanë e saj jo më larg se para një viti, një nga ato pasditet që Agolli nuk ndihej mirë, teksa e gjet shtrirë me tubat e hollë në hundë. “Këta dy tuba që futen në hundë”- më tha duke buzëqeshur- “Mua më kanë prishur mukozën e hundës, e prandaj e bëj hundën kështu”. Me një gjest preku anën e djathtë të hundës. Atë pasdite, tregon Elona, ai ishte më i mërzitur se ditët e zakonshme, që i shihje në mimikën e tij plisin e pesimizmit.

“Kjo shtëpia jona ka shumë dritare. Një të vogël në kuzhinë, një të madhe më pas, dy të mëdha një sallon dhe një tjetër të vogël. Hyn vdekja nga dritarja e vogël edhe të thotë: Erdha. Përse erdhe i thashë? Ka të tjerë plotë. Hyn më pas tek dritaret e mëdha: Është shpejt mos hajde tek mua. më pas hyn tek ajo e vogla dhe më thotë përsëri: Erdha. Po hajde të këndojmë më tha, por mos harro merr disa, që dinë të mbajnë iso. Edhe vdekja doli për të dalë që të gjejë atë që mbajnë iso, edhe nuk i gjeti dot.

E kështu iku edhe nga ajo dritare. Ja kështu Lona ime”. Elona tregon se pas kësaj ndodhie, që i ati i tregonte vetëm përlotej, ndërsa Agolli nisi të recitonte: “Jam i gjallë edhe jam në jetë, jam në dritë të vërtetë”, sicc thoshte Naimi i madh, që edhe tani është më i gjallë se të gjallët rrëfen Elona, teksa i thotë në pasditen e ditëlindjes së tij: “Je mi i gjallë, se të gjallët ati im Dritëro. Sot do të gjej në poezinë e tua, shpirtin tënd”. Pas tregimit të kësaj ndodhie, Elona recitoi vargjet e poezisë “Qiriu”, shkruar nga Dritëro Agolli. “E ndezëm qiririn për miqtë, qiriri bënte dritë edhe qante ashtu siç qan çdo gjë, që bën dritë. Në faqet e verdha lotët ngrinin, nga drita qante dhe veten hante. Përmes qiririt vështronja Naimin. Bënte dritë dhe qante… Përherë i madh jeton ne dejet e jetës, kujtesa mban të ndezur një qiri… Një monument ky burrë i ngriti vetes, Atdheu e heq kapelën para tij”.

Nulla Dies Sine Linea

“Duke përgatitur këtë përmbledhje me fjalë të urta pikërisht më ka shqetësuar përsëritja e thënieve të të tjerëve, megjithëse kam qenë i vetëdijshëm se kësaj nuk do t’i shpëtoja. Veçanërisht i trembesha

përsëritjes së fjalëve të urta popullore, që janë nëna e aforizmave të shkruara. Vetëm nga njëra prej tyre mund të krijohen dhjetëra variante aforizmash”, shkruan Agolli në shënimin e ka përgatitur në vitin 2006. Ndërsa, profesor Shaban Sinani, i cili ka punuar për botimin e këtij libri thotë se: “Aforizmat e Dritëro Agollit përbëjnë një libër me modele të stërlashtë, sa gjithë historia e mendimit njerëzor, po aq sa me origjinalitetin e një shekulli të ri. Aforizmat e Dritëro Agollit kanë dalë nga fletorkat me shënjime, kanë dalë nga “Arka e djallit”, kanë dalë nga “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.

E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua

Përkthyesi Iliran Zhupa për “E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua” u shpreh dje se: “Poezitë e këtij libri, kanë brenda tyre mbi gjysmë shekulli dashuri. Në to, si në një shirit sizmiografikm dallohen qartë të gjitha trandjet dhe përjetimet e heroit lirik. Siç dallohen në trupin e një peme jetëgjatë, në rrathët e trungut, por edhe në lëvoren dhe degët e saj vera dhe dimri, ngrica dhe vlagu drita dhe terri. Koha e mirë dhe e keqe, në të cilën mbiu dhe u rrit kjo pemë e përjetshme, Shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj, si Dritëro Agolli, kanë një magji dhe alkimi të përhershme në krijimtarinë e tyre. Mbasi i ke lexuar, të bëjnë rob, ortak dhe ndjekës, dhe të detyrojnë kohë pas kohe t’u rikthehesh e t’i rilexosh, për të zbuluar dimensione të reja të krijimtarisë letrare dhe të vetes”.

Përkthyesi Shpëtim Çuçka e konsideroi përgjegjësi të madhe, që të flisje për një shkrimtar si Agolli. “Ka njerëz që krijojnë për elitën, ka edhe që krijojnë për popullin. Dritëro Agolli është krijues i popullit, sepse populli e kuptoi dhe populli e deshi. Prandaj ai që merr përsipër që të flas për të, duhet edhe të mbaj përgjegjësi para popullit. Por është përgjegjësi, edhe sepse shpesh njerëzit mendojnë se i njohin njerëzit e tyre, por kjo është një përshtypje krejtësisht e gabuar. Dritëro ishte njeri i mendimeve, edhe i shqetësimeve shoqërore, ishte njeri i ideve të mëdha. Ai ishte edhe një personalitet i madh në fushën e përkthimit”./Shekulli