21:50 / E Premte, 01 Qershor 2018 / indeksADMonline

Donald Trump takoi krahun e djathtë të Kim Jong Un

Presidenti Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë krahun e djathtë të udhëheqësit Kim Jong Un, i cili do t’i dorëzojë personalisht një letër të liderit koreano-verior, një demonstrim i ri i çtensionimit spektakolar për një samit të mundshëm historik mes dy shteteve kundërshtare.

Gjenerali Kim Yong Chol, në linjën e parë nga pala koreano-veriore për përgatitjen e këtij takimi të pazakontë kokë më kokë, i planifikuar për në 12 qershor në Singapor, mbërriti pak pas orës 13:00 (17:00 GMT).

Ai u prit nga sekretari i përgjithshëm i presidencës amerikane, John Kelly dhe zyrtarë të lartë të çështjes koreano-veriore në Departamentin e Shtetit dhe të CIA-s, Mark Lambert dhe Andrew Kim.

Uashingtoni e cilësoi si një gjest emblematik me rëndësi të veçantë vizitën e krahut të djathtë të liderit koreano-verior, i cili më pas u prit në Zyrën Ovale nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, me letrën e vulosur nga trashëgimtari i dinastisë Kim, e cila sundon prej më shumë se 70 vitesh në veri të Gadishullit Korean.

Kryenegociatori i Phenianit, drejtuesi më i lartë koreano-verior që viziton SHBA-në prej tetëmbëdhjetë vitesh, do të ritakohet për të tretën herë brenda tre ditësh me sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, pas bisedimeve të cilat u mbajtën të mërkurën dhe të enjten në Nju-Jork që mundësuan sipas palës amerikane, arritjen e avancimeve konkrete për zhvillimin e samitit.