15:13 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Dukolli priti në takim drejtoreshën e FIQ, flasin për bashkëpunim (Foto)

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin  Dukolli, priti sot drejtoreshën ekzekutive të Forumit për Iniciativa Qytetare, znj. Dajana Berisha. Në këtë takim u bisedua për mënyrat dhe fushat e bashkëpunimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale më shoqërinë civile.

Zëvendësministri Dukolli tha se bashkëpunimi i MPMS-së do të jetë gjithmonë i hapur me shoqërinë civile, dhe në këtë fazë që po kalon vendi ynë, shoqërinë civile nuk e shohim si oponente, por si një aleat të fuqishëm në rrugëtimin tonë për të krijuar një mirëqenie sa më të dinjitetshme për qytetarët.

“Ndihma e shoqërisë civile për ne është e mirëseardhur në çdo moment dhe ne do të jemi të gatshëm në konkretizimin e këtij bashkëpunimi, në veçanti me projektet për ndërmarrësi që ndihmojnë punësimin e qëndrueshëm të të rinjve”, tha Dukolli.

Drejtoresha Ekzekutive e FIQ, znj Berisha, falënderoi  zëvendësministrin për gatishmërinë e bashkëpunimit dhe në këtë front, shoqëria civile do të vazhdojë të japë kontributin e saj në afirmimin dhe përkrahjen e ideve të reja për ndërmarrësit e rinj, trajnimin dhe mentorimin e tyre. “Prioriteti ynë i përbashkët është punësimi i të rinjve dhe grave, ndërsa projektet tona do të fokusohen edhe më tutje në sektorin e energjisë, bujqësisë dhe ambientit”, tha drejtoresha Forumit për Iniciativa Qytetare, Dajana Berisha.