19:25 / E Hënë, 20 Gusht 2018 / indeksADMonline

Dy familje të Skenderajt bëhen me shtëpi të reja

Dy familjeve nga komuna e Skenderajt, në prag të festës së Kurban Bajramit, i janë dhuruar çelësat e shtëpive të reja, fal mbështetjes financiare të bashkatdhetarëve tanë, nëpërmjet Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, z.Bekim Jashari dhe hoxha z.Halil Kastrati, nga shoqata në fjalë, kanë marrë pjesë të hënën në përurimin e shtëpisë në fshatin Baks, fillimisht, te familja e Haki Bajramit, i cili është shprehur tejet i kënaqur me ndërtimin e shtëpisë me kontributin e dhënë nga bashkatdhetarët.

Edhe kryetari Jashari është shprehur i lumtur që po arrihet të ndihmohen familjet në nevojë, duke iu ndërtuar shtëpi të reja banimi, fal kontributit të bashkatdhetarëve tanë në diasporë.

Edhe në familjen e Feriz Bekës nga fshati Likoc ka pas gëzim në prag të festës së Kurban Bajramit, pasi edhe kësaj familjeje i janë dhuruar çelësat e shtëpisë së re.

Kryetari Jashari e ka vlerësuar punën e jashtëzakonshme të hoxhës Halil Kastrati, Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” dhe të gjithë atyre që vazhdojnë të kontribuojnë në forma të ndryshme, në zgjidhjen e problemit të strehimit të familjeve në nevojë.