20:21 / E Martë, 19 Qershor 2018

Dy ligjet që po shfrytëzohen pak nga gratë

Me ligjin e ri të punës që u miratua në nëntor të vitit 2010 dhe hyri në fundi pas një viti, u njohën disa të drejta të femrës së punësuar si e drejta për gjidhënie dhe pushimi i lehonisë.

Sipas këtij ligji, çdo grua e punësuar që ushqen fëmijën me qumësht gjiri, nëse nuk e shfrytëzon pushimin e lehonisë pas muajit të gjashtë, atëherë nga muaji i gjashtë e deri në një vit i takon pushimi me pagesë prej dy orësh në ditë gjatë orarit të punës, si dhe çdo e punësuar që ushqen foshnjën me qumësht gjiri pas vitit të parë deri në dy vjet ka të drejtën e një orë në ditë pushim me pagesë brenda orarit të punës.

Në fillim ky ligj shënoi ngecje për shkak të situatës politike që la në ‘hije’ ligjin e pazbatuar, shkruan Indeksonline.

Mirëpo, bazuar në të dhënat e terrenit nga inspektorati i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies sociale, ky ligj është duke u respektuar.

“Sa i përket respektimit te dispozitave juridike qe lidhen me te drejtën e femrës se punësuar për gjidhenie, respektivisht dispozitat e Ligjit Nr. 05/L -023 PËR MBROJTJEN E TË USHQYERIT ME QUMËSHT GJIRI, bazuar në të dhënat që i marrim nga terreni, konsiderojmë që kjo dispozitë, respektivisht kjo e drejtë është duke u respektuar dhe nuk kemi ankesa lidhur me shkelje të kësaj të drejte”, ka thënë për Indeksonline, Drejtori për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme në MPMS, Valon Leci

Sipas tij, edhe pushimi i lehonisë apo pushimi pas lindjes është duke u zbatuar. Ku në vitin 2017, nga 11 946 femra të punësuara, vetëm 9 raste është hasur parregullsi.

“Gjithashtu, konsiderojmë qe edhe e drejta e shfrytëzimit të pushimit të lehonisë është duke u zbatuar në mënyrë optimale në Republikën e Kosovës. P.sh. Në vitin 2017 IP ka inspektuar 11813 femra të punësuara rezidente dhe 133 femra të punësuara të huaja (gjithsej 11946 femra) qoftë në inspektime të rregullta, në bashkëpunim me institucionet tjera të cilat mbikëqyrin zbatimin e ligjeve apo edhe sipas ankesës së palës, dhe në vetëm 9 raste ka konstatuar parregullsi lidhur me respektimin e dispozitave që normojnë të drejtën e pushimit të lehonisë”, ka shtuar ai.

Kryesuesja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale Flora Brovina për Indeksonline thotë se ankesa nuk ka, pasi ligji nuk po shfrytëzohet aq sa duhet.

“Nuk po mendoj që po shfrytëzohet sa duhet për shkak se nuk kanë njohuri për të. Ligji si ligj është i mirë, por jo shumë i shfrytëzueshëm. Mirëpo, pushimi i lehonave është i vogël, aq më tepër kur numri i madh i grave nuk janë në marrëdhënie pune. Gratë e punësuara nuk e shfrytëzojnë aq sa duhet, frikësohen mos vonohen ose mos humbin punën”, ka thënë ndër të tjerash Brovina.

Kujtojmë që ligji për gjidhënie është miratuar në sallë alternative para disa vitesh kur protestohej kundër marrëveshjeve me gaz lotsjellës dhe ishte kaluar pa asnjë diskutim./Indeksonline/