21:18 / E Diele, 13 Maj 2018 / indeksADMonline

E ëma kërkon ta nxjerrë nga shtëpia, djali nga Vlora e çon në gjyq

Një raport vërtet dramatik ai i Jorgos dhe nënës së tij Elenit, të cilët kanë qenë sot protagonistë të “Shihemi në gjyq”. Jorgo ka treguar se e ka sjellë të ëmën para ekranit në këtë seancë pasi ajo kërkon ta nxjerrë nga shtëpia. Sipas tij pas martesës disa vite më parë me bashkëshorten, ata jetuan disa kohë në shtëpinë e prindërve të tij. E kur erdhi në jetë djali i tyre, lindi nevoja për të marrë një banesë tjetër, pasi nuk kishte më mjaftueshëm hapësirë në atë shtëpi.

Ndaj dhe në vitin 2001 prenotoi një apartament në një pallat që po ndërtohej. Jorgo u shpreh se prindërit e kanë ndihmuar me vlerë monetare për të blerë apartamentin, për të cilin ndodhet prej vitesh nëpër gjyqe, ndaj tani i kërkojnë të largohet nga shtëpia e tyre, me pretendimin se pjesën e tij e ka marrë. Por ai nuk ka sesi të sigurojë një banesë tjetër për të jetuar me bashkëshorten dhe djalin e tyre, që tanimë është 4 vjeç. E ëma i tha Jorgos se ai duhet të kishte thirrur në gjyq pronarin e pallat ku bleu hyrjen, i cili nuk ia ka dhënë ndonëse ky pagoi paratë.

Eleni i tha të birit që e ka ndihmuar dhe e ka mbajtur në shtëpi për 6 vite, por tanimë nuk ka më mundësi. Ndërsa Jorgo i tha se ata kanë qenë kur është bërë kontrata e blerjes së shtëpisë dhe nuk i kanë thënë të mos firmosë, pasi ai vetë ishte në moshë të re dhe nuk kishte informacion të mjaftueshëm. Por e ëma u shpreh se as ata nuk kishin informacion dhe se për shkak të këtij konflikt bashkëshorti i saj është larguar nga shtëpia sepse është i sëmurë dhe nuk i suporton dot grindjet e vazhdueshme. Gjithashtu rrëfeu se shkak i konflikt është djali tjetër i saj, i cili thotë që nuk krijon dot familje, pasi ndodhet familja e të vëllait në shtëpi dhe ai nuk e sjell dot bashkëshorten në të. Jorgo shpjegoi se ai vetë jeton në Greqi dhe se bashkëshortja me djalin shkojnë te shtëpia e prindërve e saj sepse familja e j thotë që nuk i mbajnë dot.

Juristja Eni Çobani shpjegoi se Jorgo ka lidhur një kontratë me firmën “Faet sh.p.k.” për blerjen e një apartamenti në Vlorë, duke paguar 55 mijë euro. Ai rrëfeu se ka punuar që në moshën 14-vjeçare dhe se me ndihmën e prindërve ka mundur t’i mbledhë ato para. Zonja Eni i tha Elenit se nuk mund ta kishin lejuar të firmoste kaq lehtë një kontratë premtim shitjeje apartamenti, pasi Jorgo ishte vetëm 24 vjeç dhe nuk kishte informacionin e duhur për ta kuptuar atë. Ai i ka dhënë 55 mijë euro elektriçist të pallat por pa asnjë kontratë, përpara noteres.

Jorgo ka treguar:

“Kur vajta unë për të marrë shtëpinë në fund të vitit 2012 më tha nuk ke shtëpi sepse nuk më ke dhënë lekët. Ai ka hapur kontratën e dritave në emrin tim, kam librezën që kam paguar 4 muaj.

Më ka dhënë çelësin e shtëpisë, ma ka dorëzuar ai pas një viti dhe tani thotë nuk më ke dhënë lekët. Familja do të më nxjerrë jashtë. Unë jam në një hall shumë të madh! Nuk kam se ku të çoj ata që kam mbrapa (familjen), pa mirë unë.”

Të gjitha këto konflikte kanë ndikuar shumë edhe në marrëdhënien e Jorgos me bashkëshorten dhe djalin e tyre, pasi Eleni dëshiron t’i largojë nga shtëpia e saj dhe ata nuk dinë më se ku do të jetojnë.

Nga ana tjetër, juristja Çobani tregoi se Fatos Canaj nuk është paraqitur në asnjë seancë gjyqësore, duke zgjedhur të përfaqësohet vetëm nga avokati, çka është e papranueshme, pasi dëshmia e tij është thelbësore në zgjidhjen e çështjes. Ajo këshilloi Jorgon të ketë besim dhe të bëjë durim derisa Gjykata e Lartë të vlerësojë që nuk është marrë asnjë dëshmi nga administratori i shoqërisë “Faet sh.p.k” dhe elektriçis Eduart Kacaj, të cilin nuk mund ta gjejnë vetë ata, por shteti. Jursitja shtoi se përfaqësuesi ligjor i Fatos Canajt ka konfirmuar në gjykatë marrëveshjen e këtij të fundit me Eduart Kacaj, por pa e shpjeguar se çfarë lloj marrëveshje ka qenë kjo. Të gjitha këto fakte tregojnë që Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka marrë një vendim jo të plotë. Në fund çështja u zgjidh nga një dashamirës, i cili ofroi apartamentin e j për djalin e Elenit, deri në momentin që do të përfundojnë proceset gjyqësore. Eleni e falënderoi për përzemërsinë, por tha se djali së bashku me familjen e saj do të qëndrojnë në shtëpinë e saj derisa të zgjidhet gjithçka, duke e përmbyllur me sukses edhe këtë seancë ndërmjetësimi.