19:43 / E Martë, 12 Qershor 2018 / indeksADMonline

E konfirmon trajneri, Rashford është dëmtuar

Sulmuesi i Anglisë dhe Manchester United, Marcus Rashford, ka marrë një goditje në stërvitjen e fundit të “luanëve”, që sot mbërritën në Rusi. Lajmin e ka bërë të ditur trajneri Gareth Southgate. Skuadra e Southgate mbërriti në Shën Petërsburg, ditën e martë, dhe kur zbarkuan nga avioni, Southgate tha se 20-vjeçari kishte marrë një goditje gjatë stërvitjes së bërë të hënën në mbrëmje, por kjo nuk e vinte në dyshim praninë e tij në Rusi.

“Marcus ka pësuar një goditje të lehtë dhe ndoshta do të mungojë disa ditë në stërvitje, por jo në Botëror, – tha Southgate për “BBC”. – Mund të mos jetë në seancën e nesërme, që do të jetë e hapur për publikun dhe po ju them arsyen e mungesës për të mos krijuar dyshime. Mjekët më kanë thënë se do të jetë gati për ndeshjen e parë.”

Rashford ka treguar një formë shumë të mirë në miqësoret para botërorit, përfshi edhe golin e shkëlqyer të shënuar kundër Costa Rica, gjatë fitores 2-0. Stafi mjekësor i “luanëve” po bën të pamundurën që të mbajë premtimin që i kanë dhënë trajnerit.