15:18 / E Premte, 23 Shkurt 2018

E mërkura vendimtare për demarkacionin

Të mërkurën në Kosovë pritet të vijnë për vizitë, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn.

Po për këtë ditë është thirrur edhe seanca e jashtëzakonshme për votimin e marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Vizita e tyre në Kosovë nuk ka të bëjë me demarkacionin, por ka rastisur që të jetë po atë ditë ku do të votohet marrëveshja e shumë përfolur ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, transmeton Indeksonline.

Rikujtojmë se dje kreu i Kuvendit Kadri Veseli në një konferencë për gazetarë tha se demarkacioni duhet të votohet më së largu deri të mërkurën.

Në mungesë të votave, deputetët sot propozuan që seanca të mbahet të hënën, mirëpo kryeministri Haradinaj njoftoi se atë ditë do të ndodhet jashtë vendit.

I menjëhershëm ishte reagimi i Shefit të GP së LDK-së, Avdullah Hoti i cili kërkoi që kur të votohet demarkacioni patjetër që prezent duhet të jetë edhe kryeministri.

Deputetët në fund u dakorduan që seanca të mbahet të mërkurën me fillim prej orës 10:00. Deri atë ditë liderëve u mbetet kohë për të arritur kompromisin që të kaloi demarkacioni dhe t’i hapet rrugë Kosovës drejt liberalizimit të vizave./Indeksonline/