20:24 / E Shtunë, 23 Qershor 2018 / indeksADMonline

E vërteta e vrasjes së XXXTentacion: Çdo gjë e planifikuar mirë!

Reperi XXXTentacion, emri i vërtetë i të cilit ishte Jahseh Onfroy, u vra të hënën pasdite në Pompano Beach të Floridës. Policia ka bërë të ditur se 20-vjeçarin e kishin përcjellë dy sulmues me qëllimin për ta vrarë.

Autoritetet tashmë e kanë arrestuar njërin prej të dyshuarve për vrasjen e tij, 22-vjeçarin Dedrick Williams, ndërsa identiteti i personit tjetër që e ka kryer sulmin, akoma nuk është zbuluar.

Avokati i XXXTentacion kishte thënë se vrasja ishte një grabitje e shkuar keq dhe se reperi ndodhej në vendin e gabuar në kohën e gabuar, porse detajet që çuan në arrestimin e Williams kanë treguar se ishte një vrasje e planifikuar mirë.

Të hënën në ora 15:30, reperi kishte hyrë në dyqanin Riva Motorcycle Sports me qëllim për të blerë një motoçikletë, ndërsa dy minuta më pas kanë hyrë dy persona të tjerë dhe e kanë përcjellë atë.

Dy të dyshuarit kishin blerë maska për të mbuluar fytyrën dhe pastaj kanë hyrë në automjetin e tyre, me të cilin kanë shkuar në njërën anë të daljes duke e bllokuar atë.

Dhe kur reperi është nisur për t’u larguar (rreth orës 15:55) është zënë në pritë nga dy sulmuesit.

Ata kanë dalë nga automjeti i tyre të maskuar dhe të armatosur duke kërkuar para nga reperi me ç’rast ka shpërthyer zënka dhe e kanë vrarë XXXTentacion. Më pas, ata i janë afruar veturës së reperit për të rrëmbyer një çantë Louis Vuitton, në të cilën nuk dihet çfarë ka pasur.

Williams, njëri nga autorët, është kapur përmes ngjyrës së sandaleve që ishin parë nga dëshmitarët.

Familja e reperit që nga fillimi ka thënë se vrasja ka qenë e planifikuar dhe është tentuar të paraqitet si grabitje, sepse reperi gjatë gjithë kohës e dinte se kishte armiq dhe dilte shumë rrallë nga shtëpia.