19:28 / E martë, 18 Prill 2017

A do të jetë 2017-ta vit kthese për energjinë në Kosovë?

A do të jetë 2017-ta vit kthese për energjinë në Kosovë?

Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke ndërmarr hapa për të ndryshuar gjendjen në sektorin e energjisë, i cili që nga përfundimi i luftës përballet me sfida.

Ata thanë se kjo pritet të bëhet përmes strategjisë së energjisë 2017-2026, me të cilën synohet ndryshimi rrënjësor i sistemit aktual të prodhimit të energjisë elektrike.

Këto komente u bënë gjatë mbajtjes së forumit të dytë të nivelit të lartë për energji “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut”, me të cilën synohet të gjenden forma për të përmirësuar sistemin energjetik të Kosovës, që vazhdon të përballet me vështirësi dhe të varet nga prodhimi i termocentraleve të vjetra e të mbajtura keq, që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, janë të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë shpesh investime në importe të shtrenjta.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se energjia mbetet një prej përparësive themelore të punës së qeverisë për të ardhmen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Ai tha se për të arritur këtë synim, duhet të fillohet me ndërtimin e termocentralit të ri.

“Përfundimi i suksesshëm i ndërtimit të këtij termocentrali, konsideroj se drejtpërdrejt do të ndikojë në krijimin e kushteve afatgjata për zhvillim ekonomik dhe rimëkëmbje ekonomike, do të ofrojë kushte, të cilat do t’i sigurojnë investitorët e jashtëm dhe të brendshëm që ata mund të investojnë në Kosovë pa pasur problem burimin e energjisë elektrike dhe po ashtu do të sigurojë edhe qytetarët dhe bizneset tona këtu, se do të kenë furnizim të rregullt të energjisë elektrike”, tha kryeministri Mustafa.

Ndërsa, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie, tha se me gjithë përmirësimet e viteve të fundit, gjendja me energjinë elektrike në Kosovë mbetet ende e brishtë për shkak të termocentraleve të vjetra. Ai bëri thirrje që ky vit të jetë vit i energjisë duke punuar në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian për mjedisin.

“Krejt kjo ka të bëj me zhvillimin ekonomik të Kosovës, por po ashtu edhe me përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve në Kosovë. Krejt kjo e ndihmon Kosovën në arritjen e synimeve euro-atlantike. Miratimi i ligjeve të reja për energji elektrike si dhe strategjia për energji elektrike janë të arritura të rëndësishme për krijimin e themeleve për të gjitha zhvillimet në sektorin energjetik”, tha ambasadori Delawie.

Zyrtarët e qeverisë thanë se nëpërmjet reformave në sektorin e energjisë, synohet të shndërrohet i gjithë sistemi prodhues energjetikë dhe vënia e bazës së qëndrueshme për zhvillimin ekonomik dhe që pritet të sjellin investime prej rreth tre miliardë eurosh.

Autoritetet në Kosovë kanë përzgjedhur kompaninë amerikane Contour Global, të ndërtojë termocentralin e ri me forcë prodhuese prej 500 megavat orë energji elektrike që është rreth 70 për qind e prodhimit aktual në Kosovë dhe do të kushtojë një miliardë euro.

Sipas autoriteteve ndërtimi i termocentralit të ri pritet të fillojë në vitin 2017 dhe parashikohet të zgjas disa vjet./VOA

Lexo të tjera