17:43 / E enjte, 20 Prill 2017

Abrashi mbështetje kompanive të tekstilit

Abrashi mbështetje kompanive të tekstilit

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi së bashku me Shoqatën e Kosovës për Marketing të Veshmbathjeve (KAMA), ka vizituar disa nga kompanitë kosovare, prodhuese të tekstilit në vend.

Në Pejë, ai ka vizituar kompaninë Artatex, e cila brenda një viti arriti të trefishojë numrin e punëtorëve dhe të zgjerohet edhe në lokacione tjera në vend.

Ndërsa në Gjakovë, Abrashi vizitoi kompaninë ‘Intertex Kosova’ e cila ka linja të prodhimit për mbulesa të makinave për firma botërore si ‘Volkswagen’, rroba pune për elektricistë dhe çanta lëkure për kompani evropiane me standardet më të larta.

Abrashi e përmbylli vizitën e tij në kompaninë e tekstilit ‘Creative’ që punëson rreth 70 punëtorë, dhe sot kreu eksportin e parë për në BE.

Pasi dëgjoi kërkesat dhe nevojat e këtyre kompanive, ministri Abrashi theksoi se industria e tekstilit ka potencial të jashtëzakonshëm për rritje që në vitet e ardhshme pritet të punësojë disa mijëra punëkërkues.

Përkrahja e MPMS-së për këtë industri do të vazhdojë të bëhet përmes masave aktive, si subvencionimi i pagave, praktika në punë dhe trajnimi në punë.

Gjatë muajit maj MPMS do të lansojë ftesën për këto masa nga të cilat synohet të përfitojnë rreth 1000 punëkërkues.

Lexo të tjera