10:14 / E enjte, 12 Tetor 2017

Buxheti i varur nga Dogana dhe ATK-ja

Buxheti i varur nga Dogana dhe ATK-ja

Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore vazhdojnë të prijnë për kah të hyrat që derdhin në buxhetin e Kosovës.

Ndryshe rreth dy miliardë euro është buxheti për këtë vit, shifër kjo e parashikuar edhe për buxhetin e vitit 2018.

Agjencitë kryesore që mbushin buxhetin, vlerësohet se kanë treguar performacë të mirë në mbledhjen e të hyrave gjatë nëntë mujorit të këtij viti.

Administrata Tatimore e Kosovës ka një trend pozitiv në rritjen e të hyrave tatimore, thonë zyrtarët në ATK.

Valentina Bytyqi- Sefa zëdhënëse në këtë agjenci ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nga 423 milionë euro sa është paraparë të grumbullojë Administrata Tatimore e Kosovës, për këtë periudhë ka arritur të mbledhë 304 milionë euro, ose 13.2 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

“Kjo ngritje është si rezultat i planifikimi të mirëfilltë, rritjes së bashkëpunimit me agjencitë tjera, menaxhimit dhe punës ekipore të stafit të ATK-së, i cili ka aplikuar një qasje profesionale me integritet të lartë ndaj tatimpaguasve dhe atë, duke informuar tatimpaguesit për obligimet e tyre tatimore, duke udhëzuar ata për zgjidhjen e problemeve, dukë bërë vizita edukative dhe aktivitete të tjera të përcaktuara nga dokumentet strategjike të ATK-së, siç është Plani për Trajtim të Rreziqeve, Planet Operative, etj”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

Edhe Dogana e Kosovës thuhet se ka arritur objektivat e parapara nga Qeveria e Kosovës.

Në një komunikatë për media të Doganës se Kosovës, thuhet se kjo agjenci ka arritur të grumbullojë 815 milionë euro, përkatësisht 7 milionë euro më shumë se projeksionet e kërkuara, kurse 42 milionë euro më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në anën tjetër përfaqësues të komunitetit të biznesit, disa herë e kanë quajtur praktikë jo të mirë varësinë e buxhetit nga doganat dhe administrata.

Drejtori ekzekutiv në Odën e Afarizimit të Kosovës, Ismet Mulaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se përqendrimi i buxhetit nga tatimi dhe taksat doganore, paraqet joqëndrueshmëri financiare, pasi që sipas tij, niveli i importeve mund të ndryshojë, kurse në bazë të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, taksat doganore ose janë ulur ose eliminohen, çka në mënyrë automatike reduktohen edhe të ardhurat.

“Përqendrimi i buxhetit të Kosovë vetëm tek të hyrat doganore dhe tatimore, sipas tij, Kosovën e fut në një vend më një kreativitet të vogël në realizimin e të hyrave që i ka paraparë”, ka thënë Mulaj.

Andaj, ka nënvizuar ai, kjo mënyrë paraqet joqëndrueshmëri financiare dhe fiskale.

Ndryshe, që nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, si kontrata e parë në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të hyrat doganore në Kosovës kanë shënuar ulje, pasi që disa produkte janë liruara nga taksa doganore e për disa tjera janë ulur taksat.

Sipas të dhënave zyrtare, janë 19 milionë euro më pak të hyra që nga fillimi i zbatimit i MSA-së në prill të vitit të kaluar.

Lexo të tjera